E ardhmja e sigurisë globale do të vendoset në Ukrainë

schedule13:25 - 17 Qershor, 2022

schedule 13:25 - 17 Qershor, 2022

Nga Oleksii Reznikov “Atlantic Council”

Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në kryeqytetin spanjoll Madrid në fund të qershorit, për një samit potencialisht historik. Ata pritet të miratojnë Konceptin e ri Strategjik, në një kohë kur pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar sfidat më dramatike të sigurisë ndërkombëtare
për një gjeneratë.

Vendimet që do të merren në samitin e Madridit, ka të ngjarë të diktojnë axhendën gjeopolitike për dekadat në vijim. Evropa po përjeton aktualisht konfliktin e saj më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra ukrainas janë vrarë. Dhjetëra qytete të Ukrainës janë rrafshuar me tokën.

Miliona ukrainas janë detyruar të largohen nga atdheu i tyre, dhe të kërkojnë siguri në vendet fqinje të BE-së. Ndikimi i luftës, nuk është i kufizuar vetëm në kontinentin evropian. Pasi Rusia po shantazhon gjithë botën me skenarin e urisë globale dhe mungesën e energjisë. Zyrtarët e Kremlinit po frikësojnë hapur komunitetin ndërkombëtar me kërcënimet e tyre për një luftë bërthamore.

Është koha që NATO të tregojë udhëheqje. Koncepti Strategjik i shumëpritur i aleancës, do të shërbejë si një udhërrëfyes për të ardhmen e botës së lirë.
Ai do të jetë dokumenti i parë i madh i këtij lloji, që do të miratohet zyrtarisht që nga pushtimi i Ukrainës nga Kremlini, që e shkatërroi sistemin ndërkombëtar të sigurisë, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Institucione të tjera kyçe ndërkombëtare kanë treguar dobësinë e tyre të madhe. Sulmi rus me raketa ndaj Kievit, në kohën që po vizitonte qytetin Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, synoi të tregonte shfaqjen e hapur të përbuzjes që ka Rusia për Kombet e Bashkuara. Është më se e qartë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i paaftë të ruajë paqen, për sa kohë që një nga anëtarët e tij të përhershëm ruan të drejtën e vetos, teksa vazhdon të kryejë gjenocid në Ukrainë.

Edhe OSBE-ja ka pësuar një humbje të ngjashme e të rëndë të legjitimitetit që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt. Në rast se këto institucione nuk i nënshtrohen reformave radikale, ato do të zhduken. Në kushtet kur sistemi ndërkombëtar i sigurisë është në krizë, Koncepti i ri Strategjik i NATO-s do të fitojë një status dhe simbolikë që i tejkalon shumë pritshmëritë e mëparshme.

Ai do të sigurojë një vizion për të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nëse ky vizion do të diktohet nga inercia dhe shprehjet boshe të shqetësimit, kjo do të sinjalizojë se bota e lirë nuk është më në gjendje t’i bëjë ballë agresionit ndërkombëtar. Dhe do interpretohej nga regjimet autoritare si një ftesë e hapur për të vepruar pa u ndëshkuar.

Por nëse Koncepti i ri Strategjik, tregon një lidership të vërtetë, kjo do të dërgojë një mesazh krejtësisht të ndryshëm. Së pari, është thelbësore të pranohet se regjimet e sotme autoritare varen nga inercia e bashkësisë ndërkombëtare.

Autokracitë janë në gjendje të veprojnë më shpejt se sa demokracitë, dhe shumë më shpejt se aleancat ndërkombëtare.
Kjo u jep atyre mundësinë të luajnë me politikën e “faktit të kryer”, përpara se të tjerët të jenë në gjendje të reagojnë. Negociatat që pasojnë janë zakonisht në interes të agresorit dhe në dëm të viktimës. Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, e kanë përjetuar këtë në kurrizin e tyre.

Bota demokratike duhet të rimarrë urgjentisht iniciativën. Për një kohë të gjatë, udhëheqësit perëndimorë kanë lejuar udhëheqës autoritarë si Putin që të përcaktojnë axhendën ndërkombëtare dhe të bëjnë lëvizjen e parë, ndërkohë që ata mbeten në rolin e reaguesit.

Ukrainasit mund ta konfirmojnë se kjo është një qasje e gabuar. Aktualisht, komuniteti ndërkombëtar po debaton saktësisht mbi llojet e sanksioneve që zyrtarët ukrainas po kërkonin më shumë se një vit më parë, kur Rusia grumbulloi trupat për herë të parë përgjatë kufirit ukrainas dhe kërcënoi me një pushtim të plotë.

Në vend të sanksioneve, përgjigja perëndimore në pranverën e vitit 2021, ishte shpërblimi i Putinit me më shumë dialog. Po ashtu, çdo bisedë aktuale me partnerët tanë ndërkombëtarë përqendrohet në çështjen si të mbrohen qiejt e Ukrainës me sisteme të përmirësuara të aviacionit dhe mbrojtjes raketore, por kjo nuk është asgjë e re.

Më kujtohet se që në gushtin e vitit 2021, shtrova gjatë një vizite në SHBA nevojën për pajisjen e vendit tim me sisteme të mbrojtjes ajrore perëndimore. Dhe nuk isha zyrtari i parë ukrainas që e bëri këtë. Por edhe presidenti Zelensky gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Joe Biden.

Ai takim solli miratimin e një dokumenti kuadër, që i dha një kuptim të ri partneritetit tonë të mbrojtjes. Por ky bashkëpunimi vazhdoi në mungesë të ndjenjës së urgjencës. Diskutimet mbi dorëzimin e raketave Stinger u zvarritën për disa muaj, dhe autorizimi erdhi vetëm pasi u shtuan raportet për një pushtim të afërt rus.

Me gjithë paralajmërimet e shumta se Moska ishte gati të niste pushtimin, Ukraina nuk mori asgjë përveç armëve për këmbësorinë, të përshtatshme për luftime nga afër apo luftën guerile. Në vend të sanksioneve të ashpra perëndimore, që mund ta kishin frenuar Rusinë,
ne u përballëm me parashikimet se Kievi do të binte brenda 3 ditësh.

Por ne nuk e ndamë atë fatalizëm. Teksa kishim qasje në të njëjtat të dhëna të inteligjencës si partnerët tanë, ishim të sigurt se përgatitjet tona të vazhdueshme do ta bënin të pamundur marrjen e Kievit brenda 3 javësh. Njësitë tona ushtarake u ri-pozicionuan për të pasqyruar dislokimin e ushtrive ruse dhe bjelloruse.

U zhvendosën sistemet e aviacionit dhe të mbrojtjes ajrore. U mblodhën furnizime që do t’i lejonin Kievit t’i mbijetonte një rrethimi tre mujor. Nuk ka nevojë të thuhet se rezerva të tilla nuk u grumbulluan brenda natës. Ndërsa përgatiteshim për të mbrojtur vendin tonë, partnerët tanë vazhduan të hezitonin.
Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, pak ditë para fillimit të luftës, delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë bisedash me partnerët tanë. Nëse kolegët tanë ishin kaq të sigurt për një pushtim të afërt, pse nuk ishin gati të merrnin masa parandaluese? Na u tha vazhdimisht se kjo mund të çonte në përshkallëzimin e situatës.

Tani po bëhen përpjekje për ta bindur Ukrainën mbi nevojën e përfshirjes në negociata. Këto negociata nuk synojnë të përcaktojnë shumën e reparacioneve ruse apo se cili qytet ukrainas do të presë një gjykatë të ardhshme ruse për krimet e luftës. Përkundrazi, ukrainasit po inkurajohen të negociojnë se sa pjesë nga territori ynë duhet t’ia dhurojmë Moskës për
të shmangur “poshtërimin” e Putinit.

Një qasje e tillë nuk do të sjellë një paqe të qëndrueshme, përkundrazi. Shumë analistë e cilësojnë si të papërshtatshëm reagimin perëndimor ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Personalisht besoj se problemi kryesor është inercia. Në çdo fazë të krizës, Perëndimi ia ka dorëzuar iniciativën Rusisë, dhe e ka lejuar Moskën të diktojë ritmin e ngjarjeve.
A do të bazohet tek inercia edhe Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, që na ka sjellë në krizën aktuale, apo do të dëshmojë një lloj udhëheqje, që do t’i lejojë botës demokratike të ripohojë autoritetin e vet?

Unë mbetem në thelb optimist. Sfidat me të cilat përballemi mund të kapërcehen vetëm së bashku.
Ukraina po kërkon një sinjal të qartë nga NATO, në lidhje me rolin tonë të ardhshëm në sigurinë evropiane. Gjatë 4 muajve të fundit, ukrainasit kanë treguar se mund të jemi mburoja lindore e Evropës.

Ukraina pret të shohë përtej fjalëve të thjeshta inkurajuese. Ne duhet të zhvillojmë një strategji të përbashkët që sheh përpara dhe parashikon sfidat praktike të sigurisë. Duke treguar një lidership të fortë, anëtarët e NATO-s mund të përcaktojnë rezultatin e luftës dhe të ardhmen e sigurisë globale.

Shënim: Oleksii Reznikov është Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!