Zlatan Ibrahimovic nuk ka vendosur ende për të ardhmen. Milan, Bologna dhe Napoli janë opsionet për vazhdimin e karrierës, me dy klubet e para që kanë më shumë shanse se nënkampionët e Italisë.
Gjithsesi, një lajm i bujshëm vjen nga Walter Sabatini, drejtori sportiv i Bolognës. Zyrtari i kuqebluve hedh një tjetër hipotezë, që po merret në konsideratë nga 38-vjeçari suedez.
“Ibra ka një raport personal me Mihajlovic dhe ne jemi gati për të bërë maksimumin për transferimin e tij te Bologna. Po presim vendimin e lojtarit, i cili ka kërkuar kohë për të vendosur. Nuk përjashtohet as tërheqja e tij nga futbolli, po e mendon këtë opsion“, thekson Sabatini. /abcnews.al