Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për Corriere dello Sport dhe pjesë të saj janë publikuar në sajte të ndryshme në vendin fqinj. Mes të tjerash ai ka folur edhe për Elseid Hysajn dhe Napolin.
“Hysaj meriton të luajë, nuk do të largohet nga Napoli në janar. Pastaj në fund të sezonit djali mund të largohet të luajë në një ekip tjetër. Di që kontrata i përfundon”, është shprehur Duka, sipas “calciomercato.it”.
Ai ka folur edhe për presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis, si dhe për të ardhmen e trajnerit Carlo Ancelotti. Madje për këtë të fundit është shprehur se do të largohet nga klubi italian. “Më kanë thënë se nuk është e lehtë të punosh me De Laurentis”, shprehet kreu i FSHF-së, që nuk ndalet me kaq.
“Do të jetë trajneri Ancelotti ai që do të largohet. Më vjen keq për të, pasi jam edhe tifoz i Milanit. Sa di unë, De Laurentiis është duke kërkuar një trajner të ri”, tregon Duka, i cili gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë aktiv në media. /abcnews.al