Në ditët e fundit janë shtuar shumë zërat për një largim të mundshëm të David de Geas nga Manchester United. Gafat e shumta gjatë këtij sezoni apo dhe rivaliteti me Dean Henderson po e shtojnë presionin ndaj spanjollit dhe nuk duhet të habitemi nëse e shikojmë diku tjetër sezonin tjetër.
Sipas raportimit të “Fichajes”, janë plot tre klube që po monitorojnë situatën e 30-vjeçarit. Bëhet fjalë për Bayern Munchen, Juventus dhe PSG-në që e dëshirojnë De Gean në ekip. Kontrata e këtij të fundin me United përfundon në vitin 2023 dhe kartoni i tij vlerësohet diku te 25 milionë euro.
Portieri numër një i “Djajve të Kuq” numëron 28 ndeshje këtë sezon në të gjithë kompeticionet, por shpesh herë vendi i tij është vënë në pikëpyetje nga anglezi Henderson. Gjithashtu, De Gea është një titullar fiks në kombëtaren spanjolle dhe më shumë për të ardhmen e tij pritet të mësojmë gjatë verës. /abcnews.al