Sa herë ka zgjedhje, ka edhe kundërshti e dyshime. Kështu ndodh edhe me listën e përpiluar nga një trajner futbolli për ekipin kombëtar, dhe kësaj polemike nuk I ka shpëtuar as Anglia.
Kundërshtari I Shqipërisë në ndeshjen e parë eliminatore të Botërorit ka nisur përgatitjet për sfidën e së premtes, ndërsa nga mediat ka komente nga më të ndryshmet për zgjedhjet e teknikut Tomas Tuhel.
E përditshmja tabloide, “Deili Meil”, që I referohet agjencisë së specializuar të statistikave dhe vlerësimeve, “sofaskor”, shkruan se gjermani ka lënë jashtë disa emra që besohej se do të grumbulloheshin.
Gibs-Uajt e Hadson-Odoi të Notingemit janë shpërfillur, ashtu si mbrojtësi I djathtë I Totenhemit, Spens.
Po kështu, flitet për mbrojtësit Tarkouski, Adarabiojo, Kresuell, Uan Bisaka, ndërsa nuk parashikoheshin që të thirreshin Kajl Uolker apo Xhordan Henderson.
“Sofaskor” vlerëson se Tuhel ka thirrur thuajse të gjithë mesfushët e duhur, me përjashtim të Xhejms Medisonit që është lënë jashtë.
Në sulm, dyshimi I vetëm është për thirrjen e sulmuesit të Aston Vilës, Markus Rashford, të dhënë hua nga Mançester Junajtidi.
Gjithsesi, “tre luanët” pritet të kenë formacion tepër të fortë në “Uembli” në 21 mars ndaj Shqipërisë.
Sipas parashikimit mediatik, titullarë do të jenë të tillë si portieri Pikford, mbrojtësi Xhejms, mesfushorët Belingham, Foden e Rajs, si dhe sulmuesit Harri Kejn e Rashford.
Sidoqoftë, nga minuta e parë mund të jenë edhe emra më të rinj, por në formë si Bërn, Gehi, Ljuis-Skelli e Xherrod Bouen.