Real Madrid e kishte si finale ndeshjen ndaj M’Gladbach. Kualifikimi në Champions League ishte në rrezik, por rekordmenët e kompeticionit më të rëndësishëm për klube fituan 2-0 në fushën e tyre ndaj ekipit gjerman dhe siguruan vendin e parë në grupin B.
Karim Benzema shënoi dy herë në pjesën e parë dhe i dhuroi tre pikët kampionëve të Spanjës. Sulmuesi francez po shfaqet si lideri i “Los Blancos”, teksa vlerëson lojën ndaj M’Gladbach dhe thekson se kjo është rruga dhe mënyra e duhur për të mposhtur çdo rival.
“E dinim që na priste një ndeshje e vështirë, por e nisëm shumë mirë, donim të tregonim që në fillim se jemi më të mirët. Dëshira për të fituar dhe për të dhënë gjithçka në fushë, është gjithmonë prezente te Real Madrid.
I gjithë ekipi zhvilloi një ndeshje të madhe, edhe pse mund të shënonim më shumë gola. Çdo ndeshje është si finale për ne. Na presin përballje të forta, por nëse vazhdojmë të luajmë si ndaj M’Gladbach, mendoj se askush nuk është më i fortë se ne“, përfundon Benzema. /abcnews.al