Dy zhvillime të reja nga hetimi i Arben Ahmetaj

schedule09:55 - 12 Korrik, 2023

schedule 09:55 - 12 Korrik, 2023

Nga Mero Baze

Pas kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj, ka dy të reja të rëndësishme për publikun.

E para, është që nga gjashtë akuzat e SPAK kundër Ahmetaj, nuk ka ndonjë akuzë direkte lidhur me inceneratorët, apo rolin konkret të tij mbi procedurat, por ka hetime të hollësishme mbështetur mbi dyshime se disa prej pronave të përfituara nga Ahmetaj, janë dhurata të dy prej pronarëve të inceneratorëve, Mërtiri dh Zoto.

Dosja që po shkon në gjykatë është një hetim i hollësishëm pasurie i Arben Ahmetajt, madje një punë e guximshme për nga durimi dhe hipotezat e ngritura, të cilat duhet të qëndrojnë në këmbë në gjykatë.Zhvillimi i dytë është reagimi i opozitës ndaj kërkesës për arrestim, e cila në fakt i kërkon Ahmetajt të flasë për procedurat e inceneratorëve, me shpresë se kështu do mbërrijnë tek Edi Rama.

Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë përgjërim kolektiv kaq masiv nga opozita ndaj një personi që ka probleme me drejtësinë dhe që ka hallin e kokës së tij, që t’i ndihmojë dhe ata në hallin e tyre, të mundin Edi Ramën përmes hallit të tij.

Është ndoshta kërkesa më tragji-komike që kam dëgjuar nga ndonjë opozitë, e cila nuk mban më qëndrim ndaj akuzës, por i lutet të akuzuarit, t’i ndihmojë dhe ata në hallin e tyre.

E vërteta e hidhur është se shumica e indicieve të prokurorisë rreth lidhjes së disa pronave të Ahmetajt me pronarët e inceneratorëve kanë rrjedhur me shumë dëshirë nga vet pronarët Mertiri dhe Zoto, të cilët dihet se janë publikisht në luftë me Ahmetajn së paku prej vitit 2019. Kjo natyrisht ka bërë që SPAK të shkojë në hetime të hollësishëm dhe në ngritje hipotezash që duan shumë prova, që të mbesin në këmbë në gjykatë.

Pra në këtë rast e kemi një palë “të penduar”, të cilët duket se janë investuar të implikojnë Ahmetajn si bashkëpunëtor të tyre, duke bërë lidhje mes disa pronave të Ahmetajt dhe rolit të tyre në përfitimin e tyre.

Por nëse hetimi ndaj Arben Ahmetajt nisi si hetim për rolin e tij në kontratat koncesionare të inceneratorëve, dhe përfundoi në hetim pasuror ndaj Arben Ahmetajt, kemi një anomali. Ose ai nuk ka rol në kontratata, ose ato nuk janë objekt hetimi.

Se sa për pasuri, ne kemi parë bordero rrogash me 240 mijë euro në muaj dhe askush nuk është çuditur dhe nuk e ka marrë për indicie. Është një rrogë mujore sa dy pasuritë e Ahmetajt, që mendohet se kanë ardhur nga Zoto e Mërtiri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!