Dy të rinj tentojnë të futen me forcë në spitalin Covid-2, familjarët: Nuk dimë çfarë ndodh brenda

schedule12:44 - 3 Shtator, 2020

schedule 12:44 - 3 Shtator, 2020

Ngjarja tragjike e ndodhur ditën e djeshme në spitalin Shefqet Ndroqi, ku një 65-vjeçar u hodh nga kati i katërt duke i dhënë fund jetës, ka shtuar ankthin e familjarëve të pacientëve të shtruar.

Gazetari Maksi Rama raporton për abcnews.al se dy të rinj të cilët dyshohet se kanë familjarët e tyre në këtë spital, kanë thyer kordonin e policisë duke vrapuar në drejtim të spitalit.

Më pas ata janë neutralizuar, pas ndërhyrjes së forcave të tjera policore.

Ndërkohë, në deklaratë për mediat dy prej familjarëve që presin një lajm të mirë për të afërmit e tyre, shprehen se kanë pasur kontakte me ta por nuk e dinë çfarë ndodh brenda katër mureve.

“Këtu nuk kemi takuar fare. Kemi folur por na kanë thënë mos e merrni se nuk është në gjendje të mirë.

E kam marrë sot në orën 7. Babi thotë që mirë është, në kokë na rrinë. Por ne nuk dimë çfarë ndodh atje”, thotë njëra prej tyre.

Një tjetër tregon se ka pasur kontakte me mjekun që po trajton babanë e saj, për të cilin thotë se nuk e di si është infektuar.

“Doktori më mori në telefon. Më thonë se nuk e dinë se si do shkojë. Nuk e dimë se si është infektuar.

 Të tjerët janë të gjithë mirë. Unë dhe mami jemi top, edhe vëllai është top. Babi ka vuajtur nga aritmia”, shprehet një tjetër./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!