Dy skuadra po dominojnë ligat e tyre, Juventusi në Itali dhe Paris SG në Francë

schedule17:22 - 4 Mars, 2019

schedule 17:22 - 4 Mars, 2019

Juventusi dhe Paris Sen Zhermeni po dominojnë kampionatet në Itali dhe në Francë. Diferenca me ndjekësit ka bërë që të mos ketë garë në Serinë A dhe në Ligën e Parë.

Nuk mund të thuhet se ka garë në këta dy turne.

Seria A dhe Liga e Parë franceze e kanë gjetur prej kohësh padronin, me Juventusin dhe Paris SG të shkëputur përfundimisht. Fundjava në Itali dhe Francë e rriti edhe më tej dominimin e tyre, ose thjesht e konfirmoi, krejt ndryshe nga ç’ndodh në kampionate të tjerë të fortë si në Angli apo Gjermani.

Kampionët në fuqi të Serisë A kaluan provën e vështirë në fushën e Napolit, një nga sfidat e pakta ku mendohej se mund të humbisnin. U ndihmuan nga kartoni i kuq i portierit vendas, Meret, dhe goli i menjëhershëm i boshnjakut Pjaniç, duke vënë sfidën nën kontroll.

Ia dolën të përballonin një pjesë të dytë shumë të mirë të vendasve, por vuajtën shumë sidomos kur Miralem Pjaniç u përjashtua gjithashtu nga loja. Juventusi ka 16 pikë epërsi ndaj Napolit, kur kanë mbetur edhe 12 ndeshje për t’u luajtur, ndërsa nuk ka pësuar asnjë humbje.

Gjithsesi, pati kritika për lojën e kampionëve, që u vunë poshtë nga Napoli pas pushimit. Kritikat sidomos ishin për Kristiano Ronaldon, me “La Gazeta delo Sportin” që I dha notën e dobët 5.5.

Nëse CR7-ta duket në perëndim, në Francë një yll i ri është në ngjitje. Kilian Mbape ishte protagonisti I fitores së Paris SG në fushën e Kaenit.

Në mungesë të Nejmarit, Kavanit e Verrarit, 20-vjeçari francez udhëhoqi skuadrën duke shënuar të dy golat, në fitoren 2-1. Tashmë, kampioni i botës ka 24 rrjeta të shënuara në këtë kampionat, dhe mediat njoftojnë se ai është vetëm 1 gol pas Lionel Mesit në garën për Këpucën e Artë të Evropës.

Shoku i tij i ekipit, Nejmar, nuk ka dyshim se Mbape do të bëhet një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Falë tij, Paris SG ka 71 pikë ndaj 54 të Lilës, ndërsa ka ende një ndeshje për të luajtur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!