Shqipëria ka shpallur “non grata” dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha për ABC News se vendimi për të ndaluar hyrjen e këtyre dy personave në vendin tonë u mor pasi ata përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ndërsa janë administruar të gjitha informacionet e nevojshme nga agjencitë ligjzbatuese.
Lamallari tha se siguria e vendit është prioritet, ndërsa jemi para anëtarësimit në BE.
Vendimi për shpalljen “non grata” të Valon Belës dhe Bekir Halimit është firmosur më 17 korrik nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bazuar në nenin 104, pika 1, germa a dhe b. Të dyve u ndalohet hyrja në Shqipëri për 10 vite. Lamallari tha se agjencitë e sigurisë po saktësojnë informacione edhe për persona të tjerë që dyshohet se po kryejnë një aktivitet që cenon sigurinë e Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera.
Valon Bela identifikohet si një figurë aktive në skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbështetës i koalicionit VLEN dhe Izet Mexhitit, si dhe aktiv kundër qeverisë Rama, ndërsa Bekir Halimi përshkruhet nga të njëjtat burime si një islamist radikal.
Pak javë më parë, Ministria e Brendshme vendosi të shpallë “non grata” edhe shtetasen Ikballe Huduti, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë prej 15 vitesh./abcnews.al


