Real Madrid rikthehet nesër në fushë. Skuadra e Zinedine Zidane pret Eibar, sfidë që nis në orën 19:30. Trajneri francez ka dalë në konferencë për shtyp, duke analizuar ndeshjen, situatën e krijuar, gjendjen e dyshes Hazard-Asensio, zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë dhe ritmin e çmendur të ndeshjeve.
“E kemi të qartë që kemi pasur momente të vështira. Jemi me fat që do të luajmë përsëri, na lumturon kjo gjë. Lojtarët janë të lumtur që do të rikthehen në fushë, njëkohësisht edhe mirënjohës për këtë mundësi.
Kemi punuar shumë mirë në aspektin fizik, nuk kam dyshime për këtë. Jemi gati për rifillimin e kampionatit. Stadiumi? ‘Alfredo Di Stefano’ është stadiumi ynë dhe do të përshtatemi aty. Ajo që nuk më pëlqen është fakti që nuk do të ketë tifozë.
Kemi 3-4 lojtarë të dëmtuar (mungojnë Vasquez, Jovic dhe Nacho), të tjerët janë në dispozicion dhe janë në formë të mirë. Jemi stërvitur mirë gjatë javës dhe është lajm i mirë fakti që do të kem alternativa zgjedhje.
Hazard dhe Asensio? Kanë pasur kohë për t’u stërvitur e përgatitur si gjithë lojtarët e tjerë. Të dy po stërviten normalisht. Janë në dispozicion për ndeshjen me Eibar dhe ky është një lajm shumë i mirë.
Shumë ndeshje në një kohë të shkurtër? Jemi të lumtur që do të luajmë përsëri, do të përshtatemi me ritmin e ndeshjeve. Nuk duhet të justifikohemi, jemi mësuar të luajmë çdo tre ditë. Po përgatitemi mirë dhe do të japim maksimumin“, deklaron Zidane. /abcnews.al