Dy klubet dardane pro rifillimit, presidenti i njohur siguron 11 mijë teste

schedule12:37 - 11 Maj, 2020

schedule 12:37 - 11 Maj, 2020

Rivaliteti është shtuar shumë vitet e fundit në IPKO Superligën e Kosovës. Ballkani, Drita, Gjilani dhe Prishtina janë në garë për fitimin e titullit dhe ndahen mes tyre nga vetëm tre pikë. Një debat i madh po bëhet në lidhje me rifillimin e futbollit dardan.

Prishtina dhe Gjilani kanë mbajtur qëndrimet e tyre, duke kërkuar rikthimin në fushë dhe rinisjen e kampionatit. Presidenti i klubit kryeqytetas, Remzi Ejupi ka siguruar 11 mijë teste për COVID-19, teksa premton edhe sigurimin e 20 mijë testeve të tjera.

Jemi angazhuar të sigurojmë 11 mijë teste të COVID-19 për futbollin. Jemi konsultuar me të gjithë, pa dashur të bëjmë ndonjë gabim. 1000 teste do t’i dedikohen Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, kurse për futbollin do të ketë mjaftueshëm.

Edhe me dy afaristë të mëdhenj që janë në Gjermani, do të arrijmë të sigurojmë rreth 20 mijë teste. Një pjesë e testeve kanë arritur, dhe një pjesë e testeve arrin më pas. Jemi në konsultim me autoritetet shtetërore dhe do të presim verdiktin.

Shpresojmë që garat të mbyllen në fushë dhe jo në tavolinë“, ka deklaruar presidenti i Prishtinës. Të njëjtin qëndrim mban edhe Gjilani. Klubi ka reaguar me anë të një postimi në faqen zyrtare të klubit, aty ku bën propozimet e veta.

Duke ndjekur me vëmendje debatet e fundit lidhur me mundësinë e vazhdimit të kampionatit, jemi të obliguar që së pari; tifozëve tanë dhe opinionit publik t’ju ofrojmë qëndrimin e klubit. SC Gjilani insiston që kampionati të vazhdojë dhe të përfundojë në fushë, sa më parë që të jetë mundur dhe e lejuar nga organet kompetente.

Kërkojmë që kampioni të caktohet në fushë dhe jo në tavolinë, qoftë duke përfunduar 11 xhirot e mbetura, apo edhe duke vazhduar garën në formë të Play Off-it. Për ne është shumë më e ndershme që kampionati të përfundojë në fushë. Një çështje tjetër që është diskutuar ditëve të fundit është dhe mundësia e pjesëmarrjes së ekipeve kosovare në garat europiane për sezonin 2020/2021.

Pa marrë parasysh deklarimet e pa matura dhe tendencioze të ndonjë zyrtari (të pa ditur) të FFK-së dhe deklaratat e klubeve që kanë interesa të tyre, ne e informojmë opinionin publik se në rast se ndërpritet kampionati, SC Gjilani do të jetë ekipi i tretë që do të marrë pjesë në garat europiane. Kjo çështje është e rregulluar saktë në Rregulloren e Garave te FFK-së 2019/2020, ku përcaktohet renditja tabelare e klubeve pas 22 xhirove.

Në këtë kampionat janë zhvilluar 22 xhiro dhe orari i fazës së tretë përpilohet varësisht nga rezultatet e 22 xhirove paraprake, atëhere në bazë të Rregullores së Garave 2019/2020, SC Gjilani është renditur në pozitën e tretë dhe me meritë i takon kualifikimi në garat europiane”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!