Dy javë nga sulmi që tronditi vendin, ku do varroset terroristi i Vjenës?

schedule15:17 - 18 Nëntor, 2020

schedule 15:17 - 18 Nëntor, 2020

Të hënën bëhen dy javë nga nata kur ndodhi sulmi terrorist në Vjenë të Austrisë, sulm që tronditi gjithë botën. Për më shumë se gjysmë muaji, trupi i Kujtim Fejzullahit, terroristi që u vra nga policia, nuk është varrosur akoma.

Gazeta Express ka kontaktuar me zyrtarë kompetentë të Vjenës për të marrë informacione se ku dhe kur do të prehet Fejzullahi dhe për mundësinë që varrimi i tij të kryhet në Maqedoninë e Veriut, meqenëse ka edhe shtetësi maqedonase.

Zyrtarë nga Komuna e Vjenës u shprehën se për vendin do të vendosë familja e tij. Sipas tyre, deri më tani, nuk është marrë ndonjë vendim për këtë çështje, meqenëse hetimet e autoriteteve federale janë duke vazhduar ende.

“Familja do të vendosë se ku dhe si do të varroset sulmuesi. Deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim”, kanë deklaruar nga komuna e Vjenës.

Kundër varrosjes së Fejzullahit atje, kanë dalë edhe mbikëqyrësit e varrezave të myslimanëve në Liesing të Vjenës. Mbikëqyrësi i varrezave të myslimanëve të Liesing, Ali Ibrahimi, ka dhënë disa arsye për mospranimin e varrimit.

“Ai është një person që ka vrarë njerëz të pafajshëm. Ai na ka dëmtuar të gjithë neve myslimanëve. Askush nuk dëshiron që trupi i vet të shtrihet pranë një vrasësi”, ka thënë Ibrahimi.

Një tjetër alternativë për varrosjen e sulmuesit të Vjenës ishin varrezat e myslimanëve në Altach në Voralberg, por edhe atje nuk është lejuar.

 “Varrezat në Altach janë varreza për myslimanët që kanë vendbanim në Voralberg në kohën e vdekjes së tyre. Ne nuk shohim asnjë arsye për ta lejuar të varroset këtu”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Altach, Markus Giesinger.

Kujtim Fejzullahi, 20-vjeçari me rrënjë shqiptare, vrau katër persona dhe plagosi 23 të tjerë natën e sulmit që tronditi Vjenën dhe jo vetëm.

Numri total i të arrestuarve për këtë rast ka arritur në 14.  s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!