Humbja nga pesha kërkon një angazhim serioz ndaj një stili të shëndetshëm jetese. Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi dhe uji, këto janë shtyllat kryesore të misionit për të rënë nga pesha.
Uji, sidomos në verë, është zgjedhja më e mirë ndaj pijeve të tjera plot kalori apo sheqer që serviren në dyqane e bare.
Uji është thelbësor për funksionin e trurit, organeve, metabolizmin e pastrimin e organizmit.
Sipas agroweb.org, kur vjen puna tek uji, këshilla kryesore që dëgjojmë është që të “pimë shumë ujë në ditë.”
Megjithatë, sa shumë është shumë? Për disa njerëz, sasia standarde e ujit është 8 gota në ditë, ka të tjerë që kanë nevojë për më shumë e disa të tjerë për më pak.
Ekspertët theksojnë se çdo njeri ka nevoja të ndryshme. Rregulli i përgjithshëm është që 8 gota ujë në ditë mund të mjaftojnë madje të përmirësojnë rënien nga pesha.
Kur e lexon, tetë gota me ujë të duket pak, madje aspak problematike për tu arrirë. Këtu qëndron sfida e vërtetë.
Janë të shumtë ata që nuk arrijnë të pinë as 4 gota në ditë, madje ka njerëz që ujin e pinë rrallë e për mall. Ekspertët thonë se etja duhet t’ju udhëheqë në këtë pikë.
Nëse keni pirë 8 gota me ujë dhe keni sërish etje, atëherë bindjuni asaj. Por nëse etja juaj është e shuar nuk ka nevojë ta teproni me ujin.
Kjo e fundit mund të shkaktojë hiponatremi ose intoksikim nga uji. Në këtë pikë sodiumi në trup tretet aq shumë sa mund të shkaktojë ënjtje në tru dhe komë./abcnews.al