Dy enigmat, Artan Hoxha: Si u zhduk dhe u bë “i gjallë” Davide Pecorelli

schedule13:41 - 21 Shtator, 2021

schedule 13:41 - 21 Shtator, 2021

Biznesmeni Davide Pecorelli u gjeti i gjallë, por misteri vazhdon. Italiani u shpreh përpara hetuesve në Perugia se inskenoi vdekjen e tij në Pukë për shkak të borxheve të shumta që kishte, por dëshmitë e tij vështirë që të besohen pa zbuluar bashkëpunëtorët. Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në “ABC LIVE” u shpreh se nuk i beson dëshmisë së ish-gjyqtarit italian të futbollit.

Davide Pecorelli erdhi në datë 3 janar në Rinas, mori një makinë me qira për tre ditë, shkoi të bashkëjetuesja në Vlorë, me të cilën ka një fëmijë. Po ashtu kishte një biznes në Vlorë. Më pas shkon nga Vlora, në Shkodër dhe më pas në Pukë. Bashkëjetuesja thoshte se nuk kishte para me vete, vetëm 600 euro. Davide Pecorelli gjatë qëndrimit në Pukë nuk është se bëri ndonjë lëvizje apo të kishte kontakte, pasi është qytet i vogël.

Nuk kishte dhënë shenja. Në datë 6 nuk u paraqit në hotel. Atë ditë në aksin Gjegjan-Reps u pa një makinë duke u djegur, ka shkuar një oficer i policisë, që më pas u penalizua. Ai nuk lejoi që makina të binte në humnerë. Ai e tërhoqi makinën që po digjej. U kërkua ndihma e zjarrfikëses dhe nga ekzaminimi rezultoi se nuk kishte shenja predhash, as përplasje dhe mbetjet kockore, ishin shumë të dëmtuara. Këtu u ngjall dyshimi se si është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të dekompozohej dhe digjej. Presioni i autoriteteve italiane i vuri në pozita të vështira autoritetet shqiptare.

Lexo edhe: 8 muaj humbi nga “radarët”, biznesmeni italian: U zhyta në borxhe dhe sajova vdekjen në Pukë

Në fillim italianët kanë qenë vetë në vendin e ngjarjes, i panë provat dhe kur nga ADN-ja nuk po dilte gjë, që të përputheshin atëherë u çuan për ekzaminim në Itali dhe që atëherë nuk u tregua më informacion. Kjo ishte e çuditshme. A morën vesh inskenimin apo u ra varianti që mund të ishte ekzekutuar në Shqipëri, kjo nuk dihet, por nuk bashkëpunuan më me palën shqiptare. Unë jam i pritur të mos e besoj sepse vetëm ka gënjyer. Kur doli nga prokuroria tha se nuk e kam shkelur ligjin në Itali, por në Shqipëri, por mënyra si e ka organizuar nuk e ka bërë brenda një dite” shprehet ai.

Enigmat janë dy, a ka shqiptarë të përfshirë në këtë histori dhe mbetjet kockore, ku u morën? “Nuk duhet hequr dorë nga hetimi i kësaj çështje. Kam pyetur nëse mund të ekstradohet në Shqipëri që të bëhet shembull. Ai duhet të sqarojë përse dhe me kë e organizoi. Pecorelli në Itali u kap duke tentuar të shesë monedha të vjetra. Në Shqipëri ne kemi, veprat penale; shkatërrimin e pronës që është djegia e makinës, së dyti zhvarrimi i eshtrave të një të vdekuri.

U kërkua në zonën e Pukës, por nuk rezulton që të jetë bërë në Pukë kjo gjë dhe dyshimet janë që të jenë marrë diku tjetër dhe këtu hyjmë te pjesa e bashkëpunëtorëve shqiptarë në këtë histori. Pecorelli ka pasur njohje me shqiptarë në Jug. Ai eshtrat i mori diku tjetër dhe ka udhëtuar bashkë me ato. Dikush tjetër e ndihmoi, dikush tjetër i vuri zjarrin makinës dhe dikush tjetër e ndihmoi që të kalonte kufirin nga Shqipëria në Mal të Zi”.

Italiani dyshohet se u ndihmua nga një prift në Shqipëri, i cili shërbeu si ndërmjetës që biznesmeni të strehohej në një manastir në Bosnje. “Edhe mund të ketë krijuar njohje pasi në Shqipëri ka priftërinj me shtetësi italiane, mbase edhe ata mund ta kenë ndihmuar. Ata mund të jenë nisur nga e mira për të bërë këtë gjë. Por vetëm nuk ka pasur mundësi të bënte” tha Hoxha.

Gazetari investigativ kërkon nga autoritetet shqiptare që ta ekstradojnë italianin dhe ta bëjnë shembull. “Shqipëria duhet të kërkojë ekstradimin e tij nga Italia. Ai zyrtarisht nuk është shpallur i vdekur as në Shqipëri dhe as në Itali, pasi ADN nuk kishte përputhje, për këtë arsye është shpallur i zhdukur.

Dyshimi është se e ka bërë për shkak të borxheve, ndaj bizneseve dhe autoriteteve tatimore. Një gropë financiare që nuk kishte mundësi ta zgjidhte dhe mendja i ka punuar ta zgjidhë në këtë formë. Por autoritetet shqiptare duhet ti shkojnë deri në fund kësaj histori edhe për shkak të dëmit në imazh që i shkaktoi Shqipërisë, një mashtrues italian” u shpreh Artan Hoxha./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!