DW: Zgjedhësit e zhgënjyer në MV mund ta ndëshkojnë qeverinë

schedule08:55 - 8 Maj, 2024

schedule 08:55 - 8 Maj, 2024

Më 8 maj zhvillohen zgjedhjet presidenciale (raundi i dytë) dhe ato parlamentare. Rezultatet do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse vendi do të vazhdojë t’i përmbahet kursit drejt BE-së.
Zgjedhjet presidenciale në raundin e parë më 24 prill shënuan një fitore të qartë të nacional-konservatorëve, partisë në opozitë VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut.

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova, një profesore 70 vjeçare në pension, siguroi dyfish më shumë vota kundrejt rivalit presidentit aktual, Stevo Pendarovski nga Partia Social-demokrate (LSDM) në pushtet, ri cili mori më pak se 20 përqind të votave.

Të zhgënjyer me procesin e zvarritur të affrimit të vendit në BE, ekonominë e dobët dhe korrupsionin dominues, shumë votues mbështetën kandidaten e opozitës në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Këtë rezultat analistët e konsiderojnë si një test lakmusi jo vetëm për raundin e dytë të garës presidenciale, por edhe për tendencën e votës së elektoratit në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen në të njëjtën ditë.

“Mendoj, se ka shumë gjasë për ndryshimin e qeverisë nga zgjedhësit,” thotë për DLF (Radio Kombëtare Gjermane) Daniel Braun, drejtues i përfaqësisë së Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, fondacion ky i afërt me partinë kristiandemokrate gjermane. Sipas tij kjo tendencë ka të bëjë “së pari për nisur nga fakti, që rekordet e qeverisë janë deprimuese në shumë fusha.

Korrupsioni dhe mosfunksionimi i shtetit shihen kudo.

Mos realizimi i premtimeve dhe ndryshimi i kontestueshëm i emrit të vendit

Socialdemokratët erdhën në pushtet më 2017, duke premtuar antarësimin në NATO, nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe luftën kundër korrupsionit. Vetëm njëri nga këto premtime është realizuar:Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s më 2020 pasi në kontestin me Greqinë arriti një kompromis për emrin e vendit me shtojcën “E Veriut”.

Ky kompromis i vështirë me fqinjin jugor, që indinjoi nacionalistët në Maqedoninë e Veriut dhe nxiti protesta masive nuk ndihmoi në hapjen e portës së BE-së për këtë vend të vogël të Ballkanit me 2 milionë banorë.

Bullgaria vendosi veton në negocitatat për anëtarëim me BE-në

Në nëntor 2020, Bullgaria vendosi veton duke penguar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, duke kërkuar lëshime që kanë të bëjnë me lidhjet historike dhe kulturore të drejtpërdrejta të shumë maqedonasve me identitetin e tyre. Kjo grindje është zgjidhur pjesërisht pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Franca, gjë që bëri që në qershor 2022 kërkesat e Bullgarisë të përfshihen në kuadrin e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Kushtet e reja të hapjes së negociatave ishin që Maqedonia e Veriut të përfshijë minoritetin e vogël bullgar prej 3.000 pjesëtarësh në kushtetutë si përbërës kombëtar.

Por në parlament nuk u arrit shumica e nevojshme e votave për këtë ndryshim kushtetues. Bisedimet me BE-në kanë mbetur në vendnumëro. Opozita nacionaliste e drejtuar nga VMRO-DPMNE e hodhi poshtë kompromisin duke nxitur ndjenjën e pasigurisë tek maqedonasit etnikë dhe duke i mobilizuar ata kundër qeverisë.
Ekonomia e dobët preokupimi kryesor për votuesit

Korrupsioni masiv dhe paaftësia e qeverisë për ta nxjerrë vendin nga stanjacioni ekonomik, inflacioni i lartë i shkaktuar prej pandemisë së COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë i kanë dhënë krah opozitës.

Sipas Bankës Botërore, Maqedonia e Veriut më 2024 do të ketë rritjen më të ulët ekonomike për të dytin vit radhazi dhe deficitin më të lartë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Më 2023, Maqedonia e Veriut u klasifikua dy pikë më lart në listën e indeksit të korrupsionit nga Transparency International, por ajo ende vazhdon të ketë “probleme serioze me korrupsionin.”

Tensione midis opozitës dhe partive shqiptare

Pavarësisht kontesteve me vendet fqinjë, në fushatën elektorale të opozitës nuk ishte në fokus as Greqia dhe as Bullgaria. Kreu i VMRO-DPMN e dominoi fushtën në konfrontimin me partinë më të madhe shqiptare, që bashkëqeveris, BDI. Ai prerazi deklaroi, se nuk do të pranojë bashkëqeverisje me këtë parti, që e konsideron si të korruptuar. Por bashkëqeverisja me shqiptarët, që përbëjnë grupin më të madh etnik në Maqedoninë e Veriut konsiderohet si faktor stabiliteti në vend.

Qëkurse socialdemokratët janë në pushtet dhe bashkëqeverisin që nga 2017 me partinë shqiptare BDI, shqiptarët janë zgjedhur në poste drejtuese të rëndësishme si kryetar parlamenti, ministër i jashtëm e madje edhe një kryeministër në tre muajt e fundit të mandatit qeverisës. Këto ndarje postesh me funksione të rëndësishme kanë nxitur nacionalistët maqedonas të ankohen për “shqiptarizimin e shtetit”.

Por sidoqoftë duke vlerësuar peshën e votës së elektoratit shqiptar dhe në përpjekje për të qetësuar komunitetin shqiptar, kreu i VMRO-DPMNE-së është shprehur, se aleanca e dytë më e madhe e krijuar nga partitë shqiptare mund të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Socialdemokratët luajnë me kartën e BE-së

Pavarësisht humbjes së thellë në raundin e parë të garës presidenciale më 24 prill, socialdemokratët i janë përmbajtur sloganit të tyre “ne nuk tërhiqemi nga e ardhmja europiane.” Megjithatë, sondazhet flasin se ky mesazh nuk i tërheq zgjedhësit, që janë të lodhur me kompromiset me fqinjët dhe të ardhmen e pasigurt në BE.

Aleksandar Krzhalovski, drejtor i qendrës “Macedonian Center for International Cooperation” i tha DW-së, se “qeveria i ka varur të gjitha shpresat tek një kartë e vetme” në fushatën elektorale, dhe ka “neglizhuar çështje të tjera të rëndësishme si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që qytetarët dhe reporterët ndërkombëtarë e konsiderojnë si problemin më të madh.”

Ish-kryeministri dhe kryetar i Partisë Socialdemokrate, Dimitar Kovacevski gjatë fushatës kërkoi ndjesë për gabimet e bëra në vitet e fundit, por iu drejtua me një paralajmërim të fortë votuesve: “Këto zgjedhje do të jenë përcaktuese për të ardhmen e Maqedonisë së veriut: ose ne do të lëvizim drejt një shoqërie progresive, drejt BE-së, ose ne do të kthehemi pas në kohën kur kishim izolim dhe konflikte etnike”, u shpreh ai./DW