Në një analizë të saj Deutsche Welle, rendit arsyet se pse Bashkimi Europian lë ende në pritje Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri gjerman Michael Roth arsyeton mëdyshjet e tij.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk kanë përmendur datë konkrete për dy vendet aspirante për në BE, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por në vjeshtë mund të diskutohet për këtë. Ndoshta. Gjermania ngurron. Në një analizë të saj Deutsche Welle shkruan ndër të tjera se derisa të valëviten në Bruksel flamujt e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut do të duhet kohë. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të kenë ende durim.
Në Tetor ministrat përkatës të BE-së mund të vendosin për një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende. Komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, në fund të majit u dha një dëftesë pozitive të dy vendeve duke shpresuar, që shtetet e BE-së do ta mbështesin propozimin e tij. Tani ai është disi i zhgënjyer, që Franca, Danimarka, Holanda dhe Gjermania ngurruan të japin premtime konkrete.
Ministri i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, e argumentoi qëndrimin gjerman me “po, por…” në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg. Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit.
Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë argument si pretekst, sepse prej kohësh ishte e qartë, që vlerësimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive. Madje edhe vetë Michael Roth-it iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: “Për mendimin tim ato janë të realizuara”.
Maqedonia e Veriut madje ka “shkruar histori”, duke i dhënë fund grindjes me vendin fqinjë Greqinë, anëtare në BE, me ndryshimin e emrit të shtetit. “Këtë duhet ta vlerësojmë. BE-ja nuk duhet të humbasë kredibilitetin”, nënvizoi ministri i shtetit Roth. Ndaj mbetet objektivi për t’i nisur sa më parë bisedimet e anëtarësimit.
Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit e ka forcuar dukshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë ky vend aktualisht ndodhet në një krizë kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe ka probleme me zgjedhjet lokale.
Presidenti i Shqipërisë i shtyu zgjedhjet lokale. Kryeministri ia mohon këtë të drejtë presidentit. Shumë njerëz prej muajsh demonstrojnë kundër qeverisë. Numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil në BE është në rritje. Ky nuk është një rekomandim pozitiv, mendojnë nëpunësit e BE-së në Luksemburg.
Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.
Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e saj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag./abcnews.al