DW: 95% e territorit të Shqipërisë e mbuluar nga dëbora

schedule09:21 - 15 Shkurt, 2021

schedule 09:21 - 15 Shkurt, 2021

Situatë e vështirë në Shqipëri nga përkimi në kohë zhvillimesh jo të favorshme si moti i keq, përmbytjet në zonat veriore e verilindore e grafiku në rritje i rasteve të reja të infektuara me virusin Corona.

Burime zyrtare thanë për DW se që nga dita e dielë (14.02)  95 përqind e territorit të Shqipërisë është i mbuluar nga dëbora, ngrica dhe acari përfshirë edhe Tiranën, Durrësin dhe qytete të tjera jo malore. Autoritetet e cilësojnë këtë situatë si “mot ekstrem”. Një mot i tillë mbërtheu Shqipërinë në fillim të janarit 2015, kur temperatura arriti në zonat fushore -12 gradë Celcius.

Situata e rënduar nga dëbora

Parashikime te sinoptikanëve bëjnë me dije se kësaj here në zonat fushore temperature do të arrijë në -9 gradë Celcius kurse në ato malore deri në -24 gradë. Në këto zona dëbora ka arritur 1,5 metra. Autoritetet u bënë thirrje të dielën drejtuesve të automjeteve të shmangin lëvizjet në akset kombëtare pasi moti i keq shkaktoi një ditë më parë bllokim të trafikut dhe radhë kilometrike të automjeteve që prisnin të kalonin. Të hënën pritet të rifillojë qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë, i ndaluar që prej 36 orësh shkak të motit të keq.

Stuhi dëborë dhe ere me shpejtësi 90 km/orë, që përfshinë Shqipërinë në fundjavën e sapo kaluar, kanë rrëzuar shtyllat e transmetimit të energjisë elektrike në zonat e Lezhës dhe Shëngjinit dhe për pasojë banorët dhe bizneset në këto zona kanë probleme me furnizimin me energji. Sipas sinoptikanëve moti i keq do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave. Ministria e Arsimit mori vendim që nga dita e sotme, (15.02) dhe deri në fund të javës, (19.02) arsimi parauniversitar do të kryhet online.

Situatë kritike në Shkodër nga përmbytjet

Rreshjet intensive të shirave që parapranë stuhitë e dëborës dhe të erës, kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës. Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna arritën kuotat maksimale dhe vërshuan në ultësirat rreth tyre duke i përmbytur ato. Burime zyrtare nga Prefektura e Shkodrës bëjnë me dije se në total janë përmbytur më shumë 5370 hektarë dhe 225 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Në disa zona niveli i ujit arrin deri në 130 centimetra kurse në disa toka bujqësore në 2-3 metra.

Albanien Überschwemmung in Shkodra

Automjete të larta transporti dhe varka të ushtrisë kanë mbërritur në zonat e përmbytura për të evakuuar familjet në rrezik në lagjet periferike të Shkodrës, pranë liqenit dhe lumit Buna. Ushtria po mbështet edhe evakuimin e bagëtive dhe gjësë së gjallë nga fermat bujqësore. Rreshjet e dendura të shirave nisën sivjet në javën e parë të janarit dhe përmbytën tokat dhe lagjet pranë lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës. Brenda një muaji harta e përmbytjeve është zgjeruar dhe dëmet e shkaktuara për fermerët e zonës së Shkodrës janë shumë të mëdha.

Mbi 1000 raste të reja infektimesh në ditë

Situatës së vështirë nga moti i keq i mbivendoset edhe vazhdimi i shifrave të larta të rasteve të reja në ditë të infektuar me virusin Corona si edhe viktimave prej tij. Autoritetet bëjnë me dije se në 24 orët e fundit ka pasur 1088 raste të reja dhe 12 viktima. Numri total i rasteve pozitive, që nga prekja e Shqipërisë nga pandemia Covid-19, është 414.278  dhe i viktimave 1.555. Tirana mbetet vatra më e nxehtë e infeksionit me 20 366 raste, e ndjekur nga Fieri me  2991, Durrësi me 1782 dhe Shkodra me 1531.

Autoritetet kanë shtrënguar masat kufizuese që nga java e kaluar, (10.02) duke rritur me 2 orë ndalim qarkullimin të detyruar prej rritjes me shpejtësi të rasteve të reja në ditë dhe dyshimet e pranisë në Shqipëri të varianteve të reja të virusit, kryesisht atyre anglez dhe afrikano- jugor. Masat e reja kufizuese do të jenë në fuqi deri në fund të këtij muaji. Autoritetet shëndetësore e shohin shqetësuese prekjen nga virusi të moshave të reja – grupmoshat 15-24 dhe 25-34 vjeç, e shoqëruar kjo edhe me humbje të jetës, kur të prekurit nuk kanë patur sëmundje shoqëruese.

Në fillim të këtij muaji në Institutin e Shëndetit Publik, në Tiranë, mbërritën 1 mijë e 170 vaksinat e para anti Covid -19 të kompanisë Pfizer, (BioNTech-Pfizer) që do të përdoren për mjekët, infermiereët dhe sanitaeët që janë në frontin e parë të përballjes me pacientët e infektuar si edhe edhe për 50 mjekë në spitalin anti-Covid të Prishtinës. Shqipëria ka një kontratë individuale me kompaninë farmaceutike BioNTech-Pfizer për një sasi të parë prej 10 mijë e 750 dozash vaksine anti- Covid deri në fund të këtij muaji. Sipas autoriteteve është afër përfundimit edhre kontrata me kompaninë AstraZeneca për të marrë dozat e duhura të vaksinës prej saj dhe “kryer brenda 14 muajve, brenda muajit prill 2022, vaksinimin e qytetarëve që duhet të vaksinohen apo atyre që dëshirojnë” ka theksuar kryeministri Rama./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!