Dvorani, kampioni i antikorrupsionit, po armiku kush është?

schedule21:07 - 1 Mars, 2021

schedule 21:07 - 1 Mars, 2021

Përgatitur nga emisioni “Log.”

Ardian Dvorani i shtoi CV-së së tij këtë foto , në një listë të Departamentit amerikan të shtetit me 12 personalitete nga bota, që kanë luftuar korrupsionin në vendet e tyre.  Në motivacion shkruhej se “gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë”, në krye të Këshillit të emërimeve në drejtësi,  shkurt KED, që përzgjodhi kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo në qershor të vitit të kaluar Komisioni i Venecias e kritikoi KED-në për mungesë transparence dhe vonesa që shkaktuan, sipas Komisionit të Venecias “një incident të rëndë procedural”. Në raport lexojmë togfjalësha si “KED nuk funksionoi në mënyrë transparente”, “KED shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit”, etj.etj.

Natyrshëm lind pyetja: kë të besojmë? Europianët apo amerikanët?

Nderimi i gjyqtarit Dvorani ka dy aspekte: faktik dhe politik. Kush është në fakt Ardian Dvorani? Dhe, nëse gjyqtari Dvorani është kampioni i antikorrupsionit, po armiku kush është? Kush është ai që ka ushtruar ndikim politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë?

Le t’i marrim me radhë. Zoti Dvorani ka qenë prokuror në vitet e fundit të diktaturës. Kritikët i kujtojnë se ka dënuar me 15 vite burg në dhjetor ’90 disa të rinj për hedhjen e shtatores së Stalinit në Shkodër.  Si anëtar i Gjykatës së Lartë vite më vonë ai ka votuar pro padisë së Aneta Ramës, të ëmës së Edi Ramës, që e akuzonte kryeministrin Berisha për shpifje.  Po për të njëjtën çështje Edi Rama kujton në librin e tij “Kurbani”  se si anëtarja tjetër e Gjykatës së Lartë  Arjana Fullani kishte votuar kundër të ëmës së tij.  Vite më vonë, kur Edi Rama u bë kryeministër, si për koinçidencë të rrethanave, bashkëshorti i gjyqtares, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë  Ardian Fullani, doli nga banka me pranga në duar  për një vjedhje ordinere të punonjësve të nivelit të ulët.  Kurse Sali Berisha e akuzoi Ardian Dvoranin se është i vetmi gjyqtar që ka marrë pjesë në mbledhjet e partisë socialiste.

Si anëtar i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani ka votuar pro pafajësisë së Ilir Metës nga akuza për korrupsion në çështjen e videopërgjimit të ish-ministrit Dritan Prifti, por, përmes një mendimi paralel, ka shprehur rezerva për anën proceduriale.

Si kryetar i KED-së, Ardian Dvoraani është akuzuar nga Presidenti Ilir Meta se ka punuar për kapjen e gjykatës kushtetuese nga mazhornca socialiste dhe për këtë është paditur në SPAK.  Ama ambasada amerikane nuk ia ka kursyer zotit Dvorani mbështetjen publike.

Ky vlerësim amerikan për zotin Dvorani na çon në përballjen politike Rama Meta.  Edi Rama u shpreh me superlative për vlerësimin që Ardian Dvorani mori nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken,  kurse Ilir Meta foli për mafia ndërkombëtare, çmime si në kohën e diktaturës socialiste dhe, zëdhënësi i institucionit, e cilësoi reformën në drejtësi, të sponsorizuar nga amerikanët, si “ramaformë”.  Nën zë, figura të opozitës thonë se vlerësimi për gjyqtarin Dvorani është blerë politikisht nga Edi Rama.  Por, nëse kryeministri Rama është kaq i fuqishëm sa të fusë duart në deklaratën e sekretarit Bliken, a nuk bëjnë zhurmë kot kundërshtarët e tij në Shqipëri?

Duke dashur të mbrojnë investimin e tyre për reformën në drejtësi, a kanë zgjedhur amerikanët anën në betejën politike të 25 prillit?

A i ka dëmtuar kreditet e veta Lulzim Basha duke u asociuar me LSI-në?

A është Ilir Meta armiku i antikorrupsionit, që ka ushtruar ndikim politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë?

A është vlerësimi për Ardian Dvoranin një mesazh i hapur për Ilir Metën se dikush si Dvorani do ta arrestojë një ditë?

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!