E enjte, ora 19:00, Laçi do të përballet në turin e tretë të Conference League me gjigantët e Anderlecht në stadiumin “Elbasan Arena”. Dy ture të kaluara dhe bardhezinjtë e kanë shkruar historinë e tyre. Gjithsesi ata nuk duan që ta konsiderojnë një shëtitje duelin e radhës me belgët.
Trajneri Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për gazetarin e abcnews.al, Vladimir Prenga, thekson se futbollistët e Laçit duhet të jenë të qetë dhe të japin më të mirën e tyre, pasi në aspektin e objektivave ata e kanë bërë pjesën e tyre.
Për të treguar forcën e Anderlecht, Duro vë në dukje transferimin e një dite më parë: sulmuesin holandez të Bayern Munich, Joshua Zirkzee, i cili u mor nga belgët në huazim.
-Profesor, përballë do të keni Anderlecht, një emër të madh të futbollit belg. Si është përjetuar në skuadrën tuaj kjo?
-Sigurisht jemi në një situatë pozitive sa i takon anës morale, pas atij kualifikimi historik ndaj një rivali si Universitatea Craiova, me potencial financiar të lartë. Jemi të qetë sa u takon objektivave. Sigurisht jemi edhe të kënaqur që përballemi me një ekip si Anderlechti.
-Sa e ndihmon Laçin fakti që luan pa presion?
-Normalisht presionin nuk e kemi ne, por çdo ndeshje ka vlerat e saj. Kemi dëshirë që të bëjmë një paraqitje dinjitoze ndaj Anderlecht, si në ndeshjen e parë ashtu edhe në të dytën.
-Realisht, a mund ta ëndërroni kualifikimin?
-Kam mendimin që me rëndësi është të luajmë, pastaj të shikojmë si do zhvillohet loja, situatat, rezultati i ndeshjes së parë është i rëndësishëm. Pastaj të shikojmë se çfarë do të ndodhë.
-I keni thënë diçka futbollistëve para kësaj ndeshje? Keni ndonjë mesazh për të?
-Patjetër që me futbollistët komunikojmë çdo ditë, jemi të grumbulluar. Kemi parë ndeshjet e kundërshtarit tonë, Anderlechtit, nëpër video. I kemi analizuar dhe u kam thënë të luajnë me besim, të qetë dhe të tregojnë atë shpirtin e garës si në ndeshjet e tjera.
-Do ju kënaqte qoftë edhe një barazim nesër, që Laçit do i shërbente për koeficient në sezonin e ardhshëm? Çfarë ka diçka që ju tremb nga kundërshtari në prag të kësaj ndeshje?
–E rëndësishme është që skuadra të luajë mirë, me besim, të bëjë paraqitje të mirë. Rezultati është diçka tjetër. Kundërshtari, pavarësisht se nuk është ai i viteve të mëparshme, sërish është mes 3-4 skuadrat më të mira të futbollit belg.
Dihet niveli i futbollit atje, ka futbollistë jashtëzakonisht të mirë, me përvojë, të rinj të talentuar. Edhe afrimi i fundit (Joshua Zirkzee) në huazim, që ju e keni parë, është një nga lojtarët më të talentuar të Bayern Munich dhe tregon gjithçka për kundërshtarin. /abcnews.al