Duka zbulon fondin e FSHF-së: Nuk mund të furnizojmë buxhetet e bashkive

schedule16:36 - 10 Prill, 2020

schedule 16:36 - 10 Prill, 2020

Armand Duka, presidenti i FSHF, foli sot në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone”. Kreu i Federatës së Futbollit foli për disa tema, ku më shumë u ndalua te paketa financiare, procedurat që do të ndiqen për shpërndarjen e fondit për klubet shqiptare dhe për klubet që administrohen nga bashkitë.

“Nuk më duket e përshtatshme të themi njerëzit në nevojë. Jemi një federatë që administrojmë shtëpinë  e tyre, është e futbollistëve, trajnerëve, është e futbollit. Menaxhojmë financat e shoqatës. Në këtë moment krize kemi bërë këtë paketë financiare, që njerëzit e futbollit të marrin një pagesë minimale. Jo vetëm ata të futbollit profesionit, por edhe ata të moshave, vajzat futbolliste. Flasim për ata që nuk kanë mundësi të marrin.”

“Nuk i di shifrat, administrata ka nisur me procedurat. Janë marrë llogaritë dhe ka nisur shpërndarje. Nuk jam i sigurt për numrin e atyre që do të ndihmohen. Buxheti i miratuar është 40 milion lekë të reja”, u shpreh Duka gjatë emisionit.

“Normal ka diskutime për shpërndarjen. Mund të bëhet edhe ndonjë gabim. Jemi këtu për të rregulluar edhe ndonjë gabim. Është si ajo dasma që pas saj u dhanë edhe një dhuratë dhe më pas thanë pse na dhanë dhurata njëlloj të gjithëve. Kjo është një ndihmë, pasi klubet kanë vështirësi. Ato trajnerë moshash që e kanë një pagë tjetër, do të marrin vetëm gjysmën e pagesës”.

“Klubet e bashkive? Kemi diskutuar gjatë. Normal ka subjektivizëm, vendosin njerëz dhe jo makina. Kemi argumentet tona. Duke marrë parasysh situatën, ku qeveria thotë që çdo biznes të paguajë vetë. Ne nuk kemi arsye të furnizojmë buxhetet e bashkive. Vetë bashkitë janë të detyruar të paguajnë dhe i kanë të programuara pagat. Duke qenë se bashkitë ua sigurojnë, kemi menduar të mbështesim këto që janë privatë dhe t’i vëmë në kushte të barabarta me klubet e bashkive. Nuk është koha të formalizojmë ekonominë, por ta kalojmë. Uroj të kthehemi sa më shpejt në kushte normale”.

“Në klubin që drejton Olsi Rama, janë të deklaruar të gjithë dhe kryeministri duhet ta kishte pyetur. Ata paguajnë sigurime dhe tatim mbi të ardhurat. Ata nuk është se kanë nevojë, por do t’ia shpërndajnë atyre që kanë nevojë. Në FSHF pagat nën 500 mijë lekë nuk janë prekur. Me atë që kanë paga të larta kemi pasur mirëkuptim për përgjysmimin e pagave”.

“Nuk jemi të parët që kemi kërkuar solidaritet. Ka edhe federata të tjera që i kanë ulur pagat, por nuk i shpërndajnë për lojtarët. Sa i takon buxhetit, burimi financiar, një pjesë ishte nga ulja e pagave, rreth 25%. Kemi parashikuar një muaj për momentin. Do marrim edhe një kredi. Nëse FIFA jep ndihmë, do jetë akoma më mirë, pasi nuk do detyrohemi të marrim ndonjë borxh.”

“Do marrë para edhe lojtari i Përmetit, edhe të tjerët. Ndodh që baskia nuk ua jep pastaj, nëse ua japim ne. Ose do të merrnin dy paga, edhe nga ne, edhe nga bashkia. Do ishte mirë, por nuk kemi luksin të kishim dy paga. Po të ishim më të pasur, edhe mund të jepnim më shumë. Kemi menduar të marrin të gjithë nga një rrugë. Ideja ishte në fillim të ndihmonim Superiores, por pastaj pamë mundësinë. Vllaznia dhe Flamurtari kanë kontribut. E njohim realitetin e këtyre klubeve. Tani nuk bëhet fjalë për formalizim. E dimë situatën e klubeve dhe kemi vendosur që nuk duhen bërë përjashtime nga Superiorja. Komiteti Ekzekutiv mund të ndihmojë edhe individ. Mund të ketë ndonjë që infektohet dhe mund të ketë trajtim të veçantë. Një arsye tjetër, është se jam tifoz me Vllazninë (qesh)”, u shpreh Duka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!