Duka: Qeveria s’na përgjigjet zyrtarisht, lojtarët presin lajme nga Facebook-u

schedule23:01 - 30 Prill, 2020

schedule 23:01 - 30 Prill, 2020

Futbolli shqiptar është gati për t’u rinisur dhe pret vetëm lejën e qeverisë. FSHF ka programuar që skuadrat të rikthehen në stërvitje në ditët e para të muajit maj, por akoma nuk ka lajmërim nga autoritetet. Kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka ka folur rreth situatës së krijuar në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në TV Klan.

KORONAVIRUSI – “Shumë shtete kanë nisur që të bashkëjetojnë me virusin dhe biznese të ndryshme kanë nisur të mendojnë sesi të ndërtojnë banderola dhe të prodhojnë në mënyrë artificiale zërin e tifozëve. Rëndësi ka që të futen klubet në stadium për të luajtur”.

PROBLEMI – “Funksionimi në këtë vend zyrtarisht është i vështirë dhemë vjen keq që ne detyrohemi të marrim lajmet nga Facebook, gazetat dhe emisionet. Nuk kemi një protokoll zyrtar. Ne jemi detyruar të komunikojmë me qeverinë nëpër media, pasi nuk na përgjigjen në mënyrë zyrtare”.

RIKTHIMI – ”Futbolli nuk është njëlloj si dyqani, që do të hapet në ditën e hënë dhe të bëjmë gati çelësat. Lojtarët duhet të stërviten. Nuk mendoj se është më e rrezikshme fusha stërvitore me 10.000 metra katrorë për 10 futbollistë se çdo aktivitet tjetër që është hapur tani. Duhet të nisim që të stërvitemi me grupe, pastaj me ekip të plotë dhe pastaj për ndeshjet. Kjo kërkon përgjigje dhe Ministria e Shëndetësisë, që nuk mund të thotë që nuk e kemi prioritet. Ka shumë njerëz që mbajnë familjet e tyre me futboll, nuk mund t’i mbajnë me pagat e ndihmës së FSHF-së”.

KOMUNITETI I FUTBOLLIT – “Mbi 30 mijë njerëz, nëse futen këtu edhe trajnerët, zyrtarët, arbitrat dhe të gjithë. Propozimi ynë i fundit ka qenë që në 2 maj të nisi stërvitja dhe në 20 maj të rifillojë kampionati. Ose në fund të fundit, le të thuhet si Franca: nuk do të luhet futboll”.

STËRVITJA – “Lojtarët po përgatiten ende nga shtëpia dhe po presin rënien e bilbilit nga Facebook-u. Shumë vende të Evropës e kanë të qartë se çfarë do të bëhet me futbollin, vetëm këtu jo”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!