Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ishte sot në një takim me rektorin e Universitetit të Sporteve. Më pas foli për mediat për tema si nisja e futbollit në Superiore, apo edhe për situatën e kombëtares.
Një përsëritje e deklaratave të shkuara, kur dëgjon që kreu i FSHF rikujton se “qeveritë kurrë nuk e kanë pasur prioritet sportin”, ndërkohë barazimet në Kazakistan dhe Lituani nuk konsiderohen dramë.
Kuqezinjtë ndeshjet e radhës i kanë në shtëpi me Bjellorusinë dhe Kazakistanin dhe Duka është i qartë për objektivin. “E rëndësishme është të merren pikët e plota në ndeshjet e fundit”, tha mes të tjerash presidenti i FSHF-së.
Gjatë kësaj periudhe edhe Edy Reja është vënë në diskutim për të ardhmen, por Duka garanton se nuk po planifikojnë ndonjë ndryshim. “Nuk kemi asnjë plan rezervë për Rejën”, u shpreh i pari i futbollit në vend.
“Dua të falënderoj rektorin që organizoi këtë vizitë sot. Bashkëpunimi është i domosdoshëm, jo vetëm me Universitetin e Sporteve por dhe me çdo institucion tjetër edukimi sportiv, apo edukimi të profesioneve që i shërbejnë futbollit. Kemi interes për këtë bashkëpunim, për të siguruar të ardhmen e futbollit.
Në bashkëpunim me Profesor Agron Kasën do të organizojmë disa jo kurse thjesht spontane, por duke e futur në shkolla dhe master, për të përgatitur specialistë si përgatitësi fizik, videoanalisti apo specialistë të tjerë që i duhen skuadrave dhe futbollit modern. Kampionati? Patjetër që do të luhet. Politika në Shqipëri nuk ka pasur prioritet asnjë lloj sporti, nuk ka pasur strategji, nuk ka politika të mirëfillta, vetëm ka shfrytëzuar ndonjë rezultat të arritur.
Duhet politike, strategji shtetërore për zhvillimin e sportit. Një nga themelet padyshim që janë financat dhe Ligji i Sponsorizimeve do ishte një hap, një dritë jeshile për të thënë që ne po mendojmë. Nuk është se do na shpallë kampionë Evrope, por do të ishte një hap përpara.
Nuk ka asnjë plan rezervë, trajneri do të vazhdojë të përgatisë dy ndeshjet e radhës dhe duam të marrim gjashtë pikë. Nuk mund të jemi të lumtur me pikët e marra në katër ndeshjet e para, por nuk mund t’i quaj paraqitje absolutisht negative.
Dy ndeshjet në transfertë, të fundit, i luajtëm më mirë se ajo kundër Lituanisë. Nuk janë ndeshje të lehta, por ne jemi të ndërgjegjshëm që steka e Shqipërisë sot është lart dhe ne mërzitemi shumë kur humbim jashtë apo kur barazojmë. Dikur lumturoheshim kur humbnin me një gol diferencë. Në dy ndeshjet e radhës në nëntor ne duhet të sigurojmë vendin e parë”.
Lojtarët e rinj? Shumë mirë që janë afruar për të luajtur, Nations League është kompeticioni më i mundshëm t’i aktivizosh. Të gjithë më kanë pëlqyer, janë e ardhmja e Shqipërisë dhe do jenë ata që do luajnë me Shqipërinë për objektivin e Euro 2024″, përfundon Armand Duka. /abcnews.al