Duka për shortin: E konsideroj me fat

schedule17:51 - 2 Dhjetor, 2018

schedule17:51 - 2 Dhjetor, 2018

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, flet për shortin e Europianit. Ai gjykon se kombëtarja ka shpresë për kualifikim.

Ëndrra është një tjetër udhëtim si ky. Ekipi përfaqësues arriti kulmin në verën e vitit 2016, e shkoi në Francë, në finalet e Europianit, dhe padyshim presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të donte një “bis”. I ndodhur në kryeqytetin e Irlandës, në sallën ku u hodh shorti i eleminatoreve të Europianit të ardhshëm, Duka e vlerësoi si normal grupin ku do të luajë Shqipëria.

“Franca kampion bote. Kemi një lloj eksperience, kemi zhvilluar dy miqësore së fundmi. Nuk ka skuadra të vogla sidomos për ne, të gjoitha ndeshjet janë të vështira. Islanda është relativisht shumë e vështirë, Turqia gjithashtu. Moldavia nuk është e lehtë. Duhet të mos kemi mungesa, të kemi futbollistët në dispozicion. Nëse humb një ose dy lojtarë nuk i ke për të gjithë edicionin pastaj”, tha Duka.

A mendon ai se kombëtarja ka shanse për kualifikim, pas dështimit në Ligën e Kombeve.

“Nuk është keq. Do ta konsideroja me fat. Mund të ishte dhe më keq. Mund të ishte grupi ku është Gjermania dhe Holanda dhe nuk do kishte asnjë lloj shansi. Sipas meje Turqia, Islanda dhe ne do të lufotjmë për vendin e dytë”, theksoi Duka.

Po skuadra më e fortë e grupit, Franca, si e mendon shortin?

“Shorti është gjithnjë i vështirë dhe ky nuk bën përjashtim. Do të ndeshemi me dy ekipe që i njohim sepse kemi luajtur më parë, si Islanda dhe Shqipëria. Do të jetë e vështirë në Turqi, në një ambient të zjarrtë. Të gjitha ndeshjet janë të forta, të gjithë kundërshtarët janë të fortë, dhe detyra jonë është të fitojmë më shumë pikë sesa ata. Veçoj Islandën, që është grup shumë kompakt, ndërsa do kemi udhëtime të gjata në Shqipëri dhe Turqi. Nuk ka më ndeshje të lehta, dhe duhet seriozitet e përqëndrim maksimal për t’ia dalë”, u shpreh Deschamps.

Vlerësim optimist nga trajneri i Turqisë, Mirçea Luçesku.

“Nuk ka grupe të lehta në eleminatoret e Europianit. Ne do të synojmë të fitojmë ndeshjet tona dhe të shkojmë në finale. Shpresoj që të mos luajmë ndaj Francës në ndeshjen e parë, pasi është shumë e fortë. Po ashtu, vlerësoj shumë Islandën. Mendoj se nëse do të përgatitemi si duhet, do të mund të dominojmë shumicën e ndeshjeve, por jemi ende në fillim të punës sonë, pasi po krijojmë një skuadër nga e para”, tha ai./abcnews.al