Duka kërkon hapjen e basteve sportive, Kushi: Përjashtojmë kategorikisht katrahurën e basteve sportive

schedule14:36 - 17 Qershor, 2022

schedule 14:36 - 17 Qershor, 2022

Në një takim të Armand Dukës dhe ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, është folur dhe diskutuar rreth fushave të futbollit nëpër shkolla, Ligji i Sponsorizimeve dhe bastet sportive.

Presidenti i FSHF-së, ka kërkuar një mbështetje financiare për rritjen e kushteve dhe zhvillimit të futbollit.

“Mundohemi të japim alternativat tona për rritjen e futbollit. Ligji i sponsorizimit ka efektet e veta për shtimin e sportistëve, rritjen e kushteve dhe zhvillimin e futbollit të femrave në Shqipëri.

Kërkojmë mbështetje financiare. Na u premtua nga ministrja se do vazhdojmë takime për këtë ligj, për t’i propozuar qeverisë një variant. Ligji i sponsorizimit, bastet sportive dhe një fond minimal për edukimin e fëmijëve, këto janë temat që u zhvilluan sot në takim.

Nga buxheti i ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nuk ka pse përjashtohet FSHF me idenë se futbolli është i pasur. Duhen kushte dhe terrene sportive për moshat. Prej disa kohësh kemi projektin ‘Topi im’, ku japim topa falas për çdo ekip që luan futboll. Nga korriku i këtij viti do kemi edhe uniforma falas dhe kërkojmë ndihmë nga minsitria”, u shpreh Duka.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Kushi, është përgjigjur pas këtij takimi me një status në rrjetet sociale në lidhje me hapjen e sallave të basteve sportive.

“I kam ndjekur vazhdimisht me shumë vëmendje diskutimet e fundit nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të sportit në lidhje me çështjen e rihapjes së basteve sportive. Natyrisht që pretendimet e tyre për tregun e zi të basteve nuk janë pa bazë, madje ka pasur edhe operacione policore në këtë drejtim. Por ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, problemi i tregut të zi digjital të basteve sportive është shumë i ndjeshëm”, u shpreh Evis Kushi./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!