Duka: Hysaj “top” me Gattuson! Napoli-AZ Alkmaar? Holandezët rrezikojnë

schedule21:17 - 19 Tetor, 2020

schedule 21:17 - 19 Tetor, 2020

Armand Duka, veçse presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, është edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në Itali së fundmi e kanë kthyer në modë edhe t’i marrin deklarata të ndryshme që nuk lidhen vetëm me futbollin shqiptar, trajnerët italianë apo për lojtarët e kombëtares shqiptare që luajnë përtej Adriatikut.

Napoli-AZ Alkmaar ka qenë në fokus këtë herë, pasi në ekipin holandez janë konfirmuar 9 raste me COVID-19. Duka, në deklaratën e tij për radio “Kiss Kiss”, ka qenë i qartë, duke u shprehur se holandezët rrezikojnë të humbasin ndeshjen në tavolinë.

“Ndeshja e Europa League midis Napoli dhe Az Alkmaar nuk është në rrezik, pavarësisht rasteve me COVID-19 në klubin holandez. Rregullorja është e qartë, nëse AZ nuk shkon në Napoli për shkak të vendimit të autoriteteve holandeze, atëherë ata do të humbin në tavolinë.

Shpresoj që të mos ndodhë diçka e tillë. Ndeshja mund të luhet, pasi ata i kanë 13 lojtarë për të luajtur”, ka deklaruar mes të tjerash Duka, sikurse raportojnë mediat pranë Napolit. Kreu i FSHF ka folur edhe për futbollistin e kombëtares, shkodranin Elseid Hysaj.

“Hysaj po i luan të gjitha ndeshjet dhe po i luan mirë. I ka cilësitë dhe Gattuso i ka dhënë më shumë besim. Elsi ndihet mirë në ekip, luan më mirë dhe e ka gjetur veten mirë. Forma e tij e mirë ka ardhur edhe falë trajneri Gattuso”, mbyll Duka. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!