Pavarësisht se ndër vite kemi pasur emra të mëdha në repartin e mesfushës, si Sulejman Demollari apo Bledar Kola, duket se “ylli” i ri i “legjionarëve” tanë, Kristjan Asllani po i zëvendëson denjësisht këto dy “legjenda” të futbollit shqiptar, teksa me pasimet e tij, kreativitetin, kthimin prapa në raste rreziku e bllokomin e aksioneve ka mahnitur jo pak futbolldashësit, shqiptar e të huaj.
Mirëpo, jo vetëm Asllani, pasi në vijën e fundit para mbrojtjes, talenti “zikaltërit” shoqërohet nga Ylber Ramadani, me këtë të fundit, që është shndërruar totalisht pas “aventurës” së tij te skocezët e Aberdeen, “aventurë”, e cila duket se e ktheu në një lotjar të madh, në një “lider” në repartin e mesfushës, gjë të cilën po e tregon këtë sezon, te skuadra e Lecce, nga ku ka tërhequr menjëherë vëmendjen e “gjigantëve”.
Pikërisht për këto dy “yje” të mesfushës sonë ka folur edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në një proncim të shkurtër, për “Sportialia” u ka treguar “fqinjëve” se sa me fat jemi që në mesfushë kemi një lojtar si Asllani e më tej ka folur edhe për Ramadanin, si dhe për interesimin që së fundmi “zikaltërit” e Inter kanë shfaqur për “tankun” e “kuqezinjve”.
“Kristjan është një tjetër xhevahir i yni, jemi me fat që e kemi. Ai është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. Mënyra se si është përshtatur në Kombëtare nuk më habit aspak, ai ka cilësi të mëdha si lojtar për të arritur majat.
Ka aftësi të larta teknike, karakter të fortë dhe vendosmërinë e duhur. Sidomos këtë sezon është përmirësuar shumë. Natyrisht që do të doja që të luante më shumë tek Inter dhe mendoj se ka ardhur tashmë koha të luajë.
Ai meriton të ketë më shumë kohë në dispozicion, me karakteristikat që ka si lojtar. Megjithatë, deri para disa muajsh mendoja se ishte më mirë që ai të largohej nga Inter për të patur më shumë hapësira.
Por, tani, duke parë rritjen e tij, unë mendoj se ai duhet të vazhdojë dhe të përmirësohet atje. Dhe shumë shpejt Kristjan do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Inter-in, ashtu siç është për ekipin kombëtar.
Ramadani? Ai i ka befasuar të gjithë në fillim të sezonit. Por jo mua, që e njoh shumë mirë potencialin e tij si lojtar. Vlerat e tij janë të padiskutueshme, ai po e tregon veten te Lecce dhe në ekipin kombëtar. Është një djalë që punon shumë dhe gjithmonë jep gjithçka në fushë.
Interesimi i Interit? Personalisht, duke ditur cilësitë dhe ambiciet e tij si lojtar, mendoj se ai është gati për çdo klub në botë. Gjithashtu do të ishte një krenari e madhe për ne të shohim dy shqiptarë që luajnë në radhët e një klubi të madh dhe historik si Inter”,- u shpreh Presidenti i FSHF-së. /i.m /abcnews.al