“Duhet të jemi me këmbë në tokë”, Daja para sfidës ndaj Astana: Do të jetë një sfidë e vështirë

schedule16:30 - 25 Tetor, 2023

schedule 16:30 - 25 Tetor, 2023

Pas fitores së parë, në këtë sezon të Conference League, ndaj “gjigantëve” kroat të Dinamo Zagreb, “dardanët” e Ballkanit, të udhëhequr nga teknikut Ilir Daja, do të tentojnë fitoren e radhës në këtë kompeticion, teksa pasditen e së enjtes do të presin në “mitikun” e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, kazakët e Astana, në një përballje ku kërkohen vetëm 3 pikët.

Siç e do “zakoni”, një ditë para sfidës u zhvillua dhe konferenca për shtyp, nga ku Daja fillimisht foli për gjendjen e skuadrës dhe rëndësinë e përballjes së nesërme ndaj kampionëve të Kazakistanit.

Më tej, ish-tekniku i Partizanit e Skënderbeut vuri në “fokus” të ardhmen e tij, te kampionët e Kosovës, si dhe foli për mundësitë që këta të fundit kanë për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Conference League.

Konferenca e plotë për shtyp e teknikut Ilir Daja:

Gjendja e skuadrës? 90% janë të gatshëm. Me stërvitje të diferencuar kemi Hamitin, të cilin do e kemi në pankinë nesër. Nuk do të luajë si titullar. Kemi edhe Ismajlgecin, i cili ka bërë stërvitje të diferencuar. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion.

Ndeshja? Duhet të jemi me këmbë në tokë. Astana ka mbi 90 takime në Europë. Ka marrë pjesë edhe në grupet e Champions League. Pas një fitoreje historike ndaj Dinamos së Zagrebit, nuk është e mundur të ndryshojmë objektivat. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi. Do të fokusohemi tek Astana. Një ndeshje shumë e vështirë, por nuk do të ndryshojmë asgjë nga ato që kemi bërë deri sot.

Do të japim gjithë energjinë tonë, për të përfaqësuar sa më mirë Ballkanin dhe kampionatin e Kosovës. Po kalojmë një periudhë goxha të mirë, në kampionat dhe Europë. Besoj që është një përjetim i madh në karrierën time si trajner. Ka një gjë të mirë ky përjetim, sepse ndodh javë për javë. Jemi prezantuar mirë në të dyja kahet. Entuziazmi është në nivele optimale. Ta mbajmë sa më gjatë të jetë e mundur, duke patur edhe fatin me vete.

Keni dëgjuar për skandalin e basteve në Itali. A keni diskutuar me futbollistët për këtë fenomen?

Jam në dijeni të këtij skandali, por ne si skuadër kemi vetëm fitore dhe nuk ka rrezik për këtë. Zakonisht luajnë për humbjen e skuadrës dhe ne kemi vetëm fitore. Është një fenomen botëror, por mua nuk më ka shkuar ndërmend të bëj biseda të tilla me lojtarët. Pasi drejtoj një grup profesionistësh dhe kam besim maksimal tek ata. Në fillim të çdo sezoni vijnë njerëz nga klubi dhe federata, të cilët u shpjegojnë lojtarëve çfarë lejohet dhe çfarë jo. Dhe jemi mjaftuar vetëm me këtë hap.

Sa ka ndikuar largimi i disa titullarëve të skuadrës gjatë merkatos së verës?

Është e vërtetë që janë larguar tre futbollistë, të cilët kanë shkuar në kampionate më të forta. Nëse shtojmë edhe Emërllahun që është i dëmtuar, na kanë ikur 4 lojtarë nga formacioni i titullarëve. Dhe është shumë e vështirë për t’i zëvendësuar. Megjithatë lojtarët e vjetër, që janë edhe boshti i ekipit, janë një shembull perfekt për të rinjtë, pasi japin maksimumin në stërvitje. Jo vetëm puna jonë e stafit, por edhe ndjekja e shembullit të ‘veteranëve’ është një ndihmë e madhe për përshtatjen sa më shpejt të të rinjve që kanë ardhur në ekip.

A ka presion për rezultatin te Ballkani?

Të jesh në këto nivele, natyrisht që ka edhe presion. Sa më shumë të ngresh nivelin, aq më shumë ngrihen pritshmëritë dhe më pas edhe presioni. Unë me stafin punojmë në maksimum për ta kthyer presionin në një energji pozitive dhe për këtë na ndihmojnë edhe lojtarët me eksperiencë. Ëshët e vështirë të luash nëse presioni të shndërrohet në stres, ndaj mundohemi që pavarësisht kundërshtarit, ta mbajmë të moderuar nivelin e presionit, që është prezent në nivele të tilla.

A keni pasur oferta nga skuadra të tjera? A do të rinovoni me Ballkanin?

Pavarësisht se kontrata me Ballkanin përfundon në fund të këtij edicioni, besoj se do të zgjatet. Unë jam nën kontratë me Ballkanin dhe nëse dikush është i interesuar për mua, duhet të kontaktojë me klubin. Deri tani nuk kam pasur asnjë ofertë dhe nëse vjen, sigurisht që duhet të shkojë edhe te klubi i Ballkanit, me të cilin kam kontratë, dhe besoj se do të vijoj gjatë.

A do të ishte kualifikimi në fazën me eliminim, një sukses për Ballkanin në Europë?

Sukses është edhe arritja për herë të dytë radhazi në grupet e Conference League, megjithatë oreksi vjen duke ngrënë. Do t’i shohim gjërat se si do të shkojnë. Ne duam të japim maksimumin pa presion dhe stres, por sido që të shkojë, kemi shkruar tashmë historinë dhe kemi bërë super sukses.

A ka Ballkani kontingjent për të përballuar të dy kompeticionet?

Në kampionat kemi një kontingjent më të madh në dispozicion. Dhe me afrimin e 2-3 lojtarëve të tjerë që po kapin formën e tyre më të mirë, besoj që e kemi skuadrën e duhur për të respektuar të dy kompeticionet. Kalendari nuk është aq i ngjeshur sa vitin e kaluar, kur luhej me intensitet për shkak të Botërorit. Kemi bërë edhe rotacion shpesh, për të shmangur lodhjen dhe dëmtimet. Pasi këto të fundit të reduktojnë grupin dhe vështirësojnë punën”, përfundoi trajneri i kampionëve dardanë. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!