Policia e Bulqizës ka ndaluar një 23-vjeçar i dënuar me “arrest shtëpie” nga Bulqiza i cili dyshohet se është autori kryesor për një vjedhje me armë në qytet.
Florenc Xheleku ishte shpallur në kërkim disa orë më vonë pasi ndodhi ngjarja më 22 Shtator.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të maskuar kanë hyrë në banesën e A.M, 50 vjeç. Ata dyshohet se posedonin edhe armë dhe pasi kanë kontrolluar për sende me vlerë, janë larguar duke marrë automjetin tip “Benz” në pronësi të 50-vjeçarit. Më pas ky automjet u gjet nga policia i braktisur.
Menjëherë pas ngjarjes, bazuar në informacionet e shpejta të marra në rrugë operative si dhe mbi bazën e dyshimeve u ushtrua kontroll në banesën e këtij shtetasi i cili ishte me masë dënimi “Arrest në shtëpi”.
Autoritetet nuk e kanë gjetur në banesë këtë shtetas pasi ndodhi ngjarja. Policia e Bulqizës, ngriti pika kontrolli grackë, ku mbrëmjen e djeshme është kapur në afërsi të një lokali.
Në momentin e kapjes Xheleku ka bërë rezistencë ndaj policëve dhe ka tentuar të largohet, por është prangosur.
Nndërkohë po vijon hetimi për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje./abcnews.al