Kryetari në detyrë i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi konfirmon se do të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar që pritet të mbahet më 11 dhjetor.
I ftuar në Radar Informativ, Këlliçi duke komentuar aksionin e ish-kryeministrit, tha se Sali Berisha është thirrur në mënyrë të dhunshme në fushë betejë.
Megjithatë, ai theksoi se ka shprehur dyshimin për kthimin e Berishës si alternativë pas 30 vitesh edhe në “Foltoren” me të rinjtë. Sipas Këlliçit ish-lideri duhet të ishte larguar me nder, megjithatë rikthimin e tij e komenton si një shans që rrallëherë i vjen një politikani në jetë.
Lexo edhe: Dy procese paralele, Këlliçi: Me statutin e ri FRPD i organizon vetë zgjedhjet
“Zoti Berisha njihet për deklaratat e tij, për karizmin, për deklarata e forta. Berisha është në të drejtën e tij për të thënë çfarëdo që ai mendon. Këtë nuk ia mohon dot asnjë.
Unë e shoh zotin Berisha të thirrur në mënyrë të dhunshme në fushë betejë. Ai ka ndërmarrë një nismë. Ia kam thënë zotit Berisha, kanë qenë të rinjtë që pas 30 vitesh të vini prap ju si alternativë. Unë gjykoj se ky shans që i është dhënë rrallëherë i vjen një politikani në jetë. Zoti Berisha për mua duhet të kishte gjetur një moment të caktuar për tu larguar me nder siç i takon personit që rrëzoi diktaturën, anëtarësoi vendin në NATO, liberalizoi vizat.
Zoti Berisha i tërhequr ishte. Ai është shprehur se nuk është pjesë e organeve vendimmarrëse. Ai ka thënë se e ka mbyllur ciklin. Unë si Belind nëse deri në atë ditë 4200 delegatët vijnë dhe paraqitet, bëhen verifikimet unë do të jem prezent në Kuvend,” deklaroi ai.
Sakaq, debatit për vërtetësinë e firmave të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, Këlliçi thotë se mund të verifikohen në zyrën e Edi Palokës.
“Plotësisht të drejtë. Zgjidhet duke shkuar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Hapen, bënë ballafaqimin e emrave dhe me këdo emër që sheh mund të bëjë verifikimin. E vetmja gjë që po ndodh këtu është gjetja e një artifice për të shpikur probleme që nuk qëndrojnë.
Ajo që i shërben zotit Basha është mbajtja e Kuvendit më 11 dhjetor. Të jap unë qëndrimin tim. Kur zbresim në teknikalitete humbasin thelbin. Kemi një problem tërësisht politik. Ka një kërkesë për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm. Ajo që përmendi Bardhi dhe Basha është rasti i një Kuvendi rutinor. Në kushtet aktuale jemi në thirrje e një kuvendi të jashtëzakonshëm. Statuti i PD është i qartë kur thotë nga Kuvendi në Kuvend autoriteti më i lartë është Këshilli Kombëtar. Është konsideruar që Paloka është personi që drejton organin më të lartë në PD. Ka një krizë të madhe besimi midis palëve. Ka krizë mosbesimi që mund të abuzohet me formularët. Është gjetur kjo zgjidhje që në organin më të lartë të partisë janë depozituar firmat,” u shpreh deputeti demokrat. g.v/abcnews.al