“Duhet të bëni një gjë të mirë për shqiptarët me Territorialen”, Alibeaj-mazhorancës: Po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023

schedule16:55 - 31 Tetor, 2022

schedule 16:55 - 31 Tetor, 2022

Deputeti demokrat, Enkelej Alibeaj akuzoi mazhorancën se nuk ka asnjë raport për sa i përket reformës territoriale, të cilën PS ka vendosur ta lërë të pandryshuar.

Sipas Alibeajt, bashki të falimentuara, bashki pa shërbim, transport publik dhe bashki që vendosin taksë në mes të pyllit, është reforma e bërë nga mazhoranca.

Alibeaj: Me rilindjen urbane i keni shndërruar bashkitë në kopje të njëra-tjetrës. Bashki pa tradita, që po shpopullohen. Prandaj është e nevojshme që të rishihet reforma territorial. Bashki pa demokraci lokale, këtë nuk e kuptoni ju. Pushteti vendor, nëse ka një vlerë është pikërisht kjo. Pushteti që i jepet qytetarëve që të kontrollojë kryetarin e bashkisë.

Deputeti theksoi se niveli i demokracisë në një shtet shihet nga pushteti vendor. Sa peshë, fuqi dhe zë ka individi te administrator i përditshëm që e sheh nga mëngjesi në darkë.

Alibeaj: Reformat territorial nuk duhet të jenë të njëanshme, duhet të gëzojnë legjitimitet. Ne nuk nisemi nga ideja e rrafshimit të gjithçkaje. Nuk po themi që gjithçka nuk ka funksionuar. Ne kemi kërkuar korrigjim të defekteve të evidentuara gjatë këtyre 7 viteve.

Alibeaj përmendi vetëm një arsye se përse mazhoranca nuk pranon një ridimensionim në të mirë të shqiptarëve.

Alibeaj: Në 2014 kur e bëtë të vetëm, e bëtë për një arsye, të fitonin zgjedhjet në tavolinë. Por pas 7 viteve, kur i keni korrur maksimumin fryteve elektorale në mënyrë të padrejtë, një gjë të mirë duhet ta bëni për shqiptarët. Me këtë gjë të sotme, nuk po bëni gjë tjetër veçse po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023.

/Abcnews.al/