Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbyll hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen kundër 3 inspektorëve tatimorë të akuzuar për korrupsion.
Po ashtu SPAK ka marrë të pandehur edhe tregtarët të cilët u kanë dhënë atyre ryshfet.
Pas dy vitesh hetime, të pandehurit Artan Kroj, i cili ndodhet në arrati, dhe Gentian Elezi, do të përballen me gjykatën ne seancën paraprake, e cila do të duhet të vendosë për fatin e tyre, nëse do e kaloje dosjen për gjykim, do të pushoj hetimet apo do ta kthej për hetime të mëtejshme në prokurori.
Tre të pandehurit kanë qenë inspektor pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në Tiranë.
Ata kishin si objekt kontrollin e subjekteve ndër të tjera instalimin, përdorimin dhe lëshimin e kuponëve tatimor, si dhe verifikimin dhe deklarimin e punonjësve në organet e tjera tatimore.
Në korrik të 2018 ata kishin shkuar për të kontrolluar, biznesin e Saimir Yzeiraj në Durrës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 3 inspektorët, pasi kanë biseduar me njëri-tjetrin i kanë kërkuar Yzeiraj-t një shumë prej 60 mijë lekësh, për të mos i vënë gjobë dhe gjithashtu e kanë kërcënuar me mbylljen e aktivitetit tregtar.
Në dokumentet e SPAK theksohet fakti se biznesmeni Yzeiraj e ka bërë pagesën, por e ka ndarë në dy pjesë, 30 mijë lekë ia kanë marrë në moment, ndërsa pjesën tjetër disa ditë me vonë.
Ata e kanë kërcënuar subjektin tregtar se do ti vendosin sekuestro me urdhër të eprorit të tyre, për shkak se ai ka blerë në dyqanin e tij një pije energjike, për të cilin nuk i është dhënë kuponi tatimor.
Saimir Yzeiraj ka bërë kallëzim në Prokurori pasi regjistroi bisedën telefonike dhe fotografoi numrin e serisë së parave që u kishte dhënë 3 inspektorëve.
Organi i akuzës ka vënë nën përgjim Artan Krojn, ku është transkriptuar biseda telefonike me kolegët, prej së cilës janë kapur duke thënë; “se duhet të bëjnë ndonjë lek”.
Po ashtu Kroj në atë kohë ka qenë kryetar i njësisë 3 për Partinë Socialiste.
Në një rast tjetër, ku ai ka marrë ryshfet, ka vepruar i vetëm.
Sipas SPAK ai ka marrë 100 mijë lekë nga Ismail Qypi, me kushtin për të mos i mbyllur biznesin.
Ndërsa në rastin e tretë Artan Kroj nuk ka marrë para por, nuk ka mbajtur akt-konstatim për një biznes në Elbasan, në të cilin u gjet një kamion me mall dhe disa punëtorë, të cilët tregtari nuk i kishte deklaruar./abcnews.al