Të dalluar kanë qenë shumë, por ndoshta jo aq sa ata. Mirlind Daku dhe Medon Berisha, të dy shqiptarë me origjinë nga Kosova, kanë shkëlqyer mbi të tjerët gjatë kësaj gjysme sezoni në Europë.
Për shërbimet e tyre për ekipet kanë fituar edhe çmimin e rëndësishëm të lojtarit të ndeshjes, dhe Daku e Berisha ia kanë dalë më shumë sesa të gjithë futbollistët e tjerë të kombëtares.
Sulmuesi që luan me Rubinin e Kazanit është shpallur 4 herë Lojtari i Ndeshjes këtë sezon në Premier Ligën e Rusisë. Kjo ka ndodhur në sfidat ndaj Ahmatit të Groznit, Dinamos së Mahaçkallës, Orenburgut dhe Soçit.
Ylli kuqezi është kandidat për Këpucën e Artë këtë edicion në kampionatin rus, duke shënuar 9 gola në 17 javë, plus një asist, vetëm dy gola larg vendit të parë.
Medon Berisha ka qenë gjithashtu tepër I dalluar, madje në një kampionat shumë më të vështirë, në Serinë A të Italisë.
Për nivelin e paraqitur, vlera e kartonit iu rrit nga 1.5 në 6 milionë euro pikërisht në 23 dhjetor nga agjencia e njohur “transfermarkt”.
Mesfushori kuqezi e ka fituar tri herë çmimin e futbollistit të ndeshjes në kampionatin italian.
Kjo ka ndodhur fillimisht në duelin ndaj Fiorentinës, kur shënoi edhe golin e fitores, pastaj kundër Veronës, dhe për të tretën herë u veçua në sfidën përballë Torinos, duke shërbyer dy asistë.
Berisha ka dy gola e tre asistë në 13 ndeshje në Serinë A. /abcnews.al

