Duele të forta që në nisje të Serisë A

schedule14:10 - 30 Korrik, 2019

schedule 14:10 - 30 Korrik, 2019

Duele të fortë në Serinë A, që në javët e para. Kalendari i përcaktuar në Milano ka derbin e Milanos që në javën e katërt, dhe ndeshje të tjera emocionuese.

Sezoni i fundit tashmë quhet legjenda e asaj që shkoi. Juventusi kampion për herë të tetë radhazi i përket historisë, dhe pas arkivimit, vjen menjëherë edicioni i ri, 2019-2020.

Seria A ka tashmë kalendarin e kampionatit të ri, përcaktuar me short në Milano, dhe emocionet janë të garantuara që në fillim, me ndeshje derbi dhe me duele të fortë.

Një “nxemje” në javën e parë, në program në 25 Gusht, me Fiorentina-Napoli, që është konkurrimi më i fortë. Në javën e dytë vjen një duel i nivelit “bombë”, Juventus-Napoli, në stadiumin “Allianz” të Torinos.

Vërtet pa fat skuadra e Carlo Ançelotit, që do të luajë dy herë radhazi jashtë fushe, ndaj rivalëve tepër të fortë. Po në javën e dytë, në 1 Shtator, do të jetë edhe derbi i kryeqytetit, Lacio-Roma, një nga ndeshjet më të ndjera në Itali, padyshim derbi më i ashpër.

Vjet, Roma fitoi 3-1 në fazën e parë, dhe Lacio iu përgjigj me 3-0 në të dytën. Në javën e tretë Juventusi shkon në fushën e Fiorentinës, diçka jo e garantuar si sukses.

Java e 4-ët, në 22 shtator, sjell derbin e madh të “Madoninës”, Milan-Inter në “San Siro”. Edicioni i kaluar ishte për zikaltërit që drejtoheshin nga Luçiano Spaleti, me dy fitore, dhe këtë vit do të duan të vazhdojnë sukseset me trajnerin e ri, Antonio Konte.

Në javën e pestë do të kemi Inter-Lacio dhe Torino-Milan, pra, tifozët do të kenë ç’të shohin në televizor dhe në stadium. Seria A nis në 25 gusht dhe përfundon në 24 maj, gjithashtu me një duel të madh si ai Roma-Juventus.

Juventusi është favorit për titullin, ndjekur nga Interi dhe Napoli./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!