Lionel Messi e Cristiano Ronaldo vazhdojnë sfidën me njëri-tjetrit edhe pse luajnë në liga të ndryshme. Të dy yjet shënuan nga dy gola, por nuk mundën të arrinin fitore.
Deri në Maj ishte një duel ballë për ballë. Edhe pse tani luajnë në kampionate të ndryshëm, sërish Lionel Messi e Cristiano Ronaldo nuk mund të mos jenë rivalë. Në fundjavë shkëlqyen përsëri edhe pse nuk dolën plotësisht të kënaqur nga fusha.
Messi shënoi dy gola ndaj Valencias në “Kamp Nou”, në duelin e ligës spanjolle. Argjentinasi arriti të shpëtonte ekipin nga një humbje e sigurt, pasi miqtë kryesuan 2-0, ndërsa barazimi 2-2 bëri që gara për titull të jetë më interesante.
“Valencia rihap kampionatin, – është titulli I gazetës “AS”, – një dygolësh i Mesit shpëton pikën”!
Në Serinë A, Ronaldo u përgjigj po me dy gola, por gjithashtu nuk ishte fitues.
Parma shkaktoi një të papritur në Torino, duke i marrë barazimin Juventusit me shifrat 3-3. Ish-lojtari i Arsenalit, Zhervinjo, ashtu si CR7-ta, realizoi dy herë, ndërsa ky rezultat nuk është se i prishi shumë punë kampionëve të Italisë, që janë 9 pikë përpara Napolit, në krye të renditjes.
“La Gazetta dello Sport”: Parma befason Juven, 3-3! Gervinho ngrin CR7-ën!
Gazeta shkruan CR17, dhe jo CR7 për të treguar 17 golat e portugezit në kampionat.
“Tutosport”: Banda e vrimës! Parmë e madhe, Juves nuk i mjafton një super CR7!
Këtë sezon, argjentinasi ka 29 gola në 27 ndeshje, si dhe 14 pasime për gol, ndërsa portugezi ka realizuar 19 herë dhe ka shërbyer 8 pasime vendimtare, ndërsa ka luajtur tri takime më shumë.
Dy yjet janë në garë të ethshme edhe për statistikat e karrierës, me Mesin që ka 581 gola për Barçën e 226 asistë në 664 ndeshje, dhe CR7-ën me 592 gola për klubet e 188 asistë në 791 ndeshje.
Gjithsesi, për argjentinasin ka një problem jo të vogël. Ai ndjeu dhimbje fizike përballë Valencias, dhe ndonëse e mbylli përballjen, lajmet janë shqetësuese, ndërsa në mesjavë luhet për Kupë ndaj Realit.
Gazeta “Marca” thekson se Barça ka një problem të dyfishtë përpara duelit gjysmëfinal të Kupës, pasi në dyshim janë edhe Messi, por edhe Dembele.
“El Mundo Deportivo” komenton: Ankth! Leo pati kontraktim në këmbën e djathtë dhe është në dyshim për të mërkurën ndaj Realit! Barcelona pret raportet mjekësore për të mësuar nëse do ta ketë yllin kryesor në “El Klasikon” e Kupës së Mbretit./abcnews.al