Dubai “strofull” për bosët e krimit nga Shqipëria, Çuçi paralajmëron marrëveshje mes dy vendeve

schedule20:35 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 20:35 - 13 Dhjetor, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara ku është takuar me ministrin e Brendshëm Sheik Saif bin Zayed Al Nahyan. Çuçi thotë se palët do të nënshkruajnë një marrëveshje për më shumë mundësi dhe efektivitet në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe për shkëmbim njohurish dhe modernizim të teknologjisë në Policinë e Shtetit.

Lexo edhe: Si mbërriti nipi i deputetit në Dubai, boss-ët që zgjodhën “parajsën” për t’u arratisur

“Abu Dhabi – Një bisedë e ngrohtë dhe miqësore me Shkëlqesinë e Tij Sheik Saif bin Zayed Al Nahyan, Ministër i Brendshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilin diskutuam për çështje të përbashkëta të sigurisë dhe të raporteve mes dy vendeve tona. Ndajmë sfida të përbashkëta, por edhe mundësi për të ardhmen.

Jemi gati për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe, për më shumë mundësi dhe efektivitet në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër terrorizmit, por edhe për shkëmbim njohurish dhe modernizim të teknologjisë në Policinë e Shtetit.

Bashkëpunimi ynë në këto fusha sjell impakt pozitiv edhe në drejtim të ekonomisë, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Në funksion të këtij sektori me interes të dyanshëm teksa kemi bërë tashmë një hap cilësor me fluturimet e linjave ajrore direkte, u dakordësuam edhe për lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve drejt Emirateve të Bashkuara Arabe”, shkruan ai.

Emiratet e Bashkuara, e veçanërisht Dubai janë një strofull e preferuar për bossët e krimit shqiptar që arratisen nga vendi duke gjetur parajsën fiskale. Nuk dihet nëse marrëveshjet mes dy vendeve në fushën e sigurisë parashikojnë ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të dy vendeve. I fundit që u arratis drejt Dubait ishte nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja i shpallur në kërkim për terrorin me kallash në një lokal në Lezhë.

m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!