Dubai ka veshur petkun festiv, duke shndërruar disa prej pikave më turistike të qytetit në hapësira magjike për festat e Krishtlindjes.
Me drita shumëngjyrëshe, pemë gjigante dhe aktivitete festive, qyteti po tërheq mijëra turistë nga e gjithë bota.
Në Global Village, shtatorët janë ndriçuar me drita vezulluese, ndërsa pavijonet që përfaqësojnë kultura të ndryshme botërore ofrojnë ushqime tradicionale, suvenire dhe dekorime tipike të Krishtlindjes. Vizitorët shetisin mes dekorimeve festive, duke shijuar atmosferën dhe performancat artistike.
“Kur dal në këto vende, ndiej sikur po festohet vërtet tradita e Krishtlindjes dhe kjo më pëlqen shumë. Është një mënyrë shumë e bukur për të përhapur mirësinë dhe gëzimin e Krishtlindjes”, u shpreh një banore.
Atmosfera festive ka impresionuar edhe turistët e huaj. Pemët e mëdha të Krishtlindjes, dhuratat dekorative dhe bora artificiale e bëjnë përvojën edhe më të veçantë.
“Është vërtet shumë ‘christmassy’. Gjithçka ka drita, ka një pemë të madhe Krishtlindjeje me dhurata dhe dekorime shumë të bukura. Mendoj se është fantastike. Kanë bërë shumë përpjekje për Krishtlindjet në Dubai”, tha një turist.
Festimet vazhdojnë edhe në Madinat Jumeirah, ku vizitorët shëtisin me varka përgjatë kanaleve, ndërsa muzika festive dhe performancat live krijojnë një atmosferë unike.

