Mbrëmjen e sotme, “djajtë e kuq” të Manchester United kanë shansin e artë për të krijuar një shkëputje prej 7 pikësh me Liverpool-in e vendit të 5-të, teksa do të përballen me “pulëbardhat” e Brighton, në “shtëpinë” e këtyre të fundit, në një sfidë aspak të lehtë për djemtë e Ten Hag.
Gara për zonën Champions sa vjen e bëhet më “e nxehtë” në Premier League dhe tekniku hollandez i “djajve” do të kërkojë me çdo kusht fitoren mbrëmjen e sotme, teksa në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes e ritheksoi dëshirën e madhe për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm.
“Unë dua të luaj në Champions League vitin e ardhshëm. Le të përqendrohemi në këtë”,- tha tekniku Ten Hag.
Më tej “numri 1” i pankinës të “së kuqve” të Mançester foli dhe për rinovimin e talentit argjentinas Alejandro Garnacho, teksa tha se pritshmëritë ndaj tij do të jenë më të larta, ashtu siç do të jenë dhe kërkesat.
“Për të është një fillim i ri, një rifillim. Pritshmëritë do të jenë më të larta. siç janë kërkesat. Ai është i fortë dhe kjo është arsyeja pse tani është në këtë nivel dhe ia ka dalë vetë. Alejandro duhet të konkurrojë për të qenë titullar, duhet të shkojë përtej kufijve të tij”,- tha Ten Hag gjatë konferencës, pak orë para sfidës ndaj Brighton. /i.m /abcnews.al