Ndërtimi i ujësjellësit të ri të bashkisë së Dropullit është drejt fundit. Së fundmi qeveria ka alokuar një fond shtesë prej 4.5 milion eurosh, duke e çuar në total 13.5 milion euro vlerën e investimit të ujësjellësit, ndërtimi i të cilit vijon prej 5 vitesh.
Investimet e fundit pritet t’i japin zgjidhje përfundimtare problemit disa vjeçar, duke siguruar ujë 24 orë në 12 fshatra Dropullit të Poshtëm.
“Ujësjellësi që lidh Pogonin me Dropullin ka përfunduar faza e parë e instalimit të rrjetit të brendshëm në të gjitha fshatrat dhe së shpejti nisin punimet për rrjetin furnizues kryesor”.
Minoriteti grek që banon në këto fshatra ka vuajtur prej vitesh mungesen e ujit të pijshëm. Rrjeti i ujësjellësit të ri ka një gjatësi prej 18 km dhe shtrihet nga burimi i Selckës deri në fshatin Dhuvjan të Dropullit të Poshtëm. Në total, janë 20 fshatra në bashkinë e Dropullit që përfitojnë nga projekti i ujësjellësit te ri. Puna vijon për 12 fshatrat e Dropullit të poshtëm, ndërsa 8 fshatra të Dropullit të Sipërm furnizohen tashmë me ujë nga rrjeti i ri ujësjellësit./abcnews.al