Dronët vrasës, Kosova: Na i ofruan edhe ne, Serbinë s’po e furnizon Turqia, por kompani

schedule22:54 - 7 Tetor, 2020

schedule 22:54 - 7 Tetor, 2020

Vjen reagimi i parë nga Kosova për armatosjen e Serbisë me dronë nga Turqia. Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Anton Quni  u shpreh se armatosja e Serbisë me dronët turq “bayraktar” nuk po bëhet nga shteti i Turqisë por nga kompani komerciale në këtë vend.

Armatosja e Serbisë nuk po ndodh nga Turqia, por nga kompani komerciale. Ato kanë shprehur gatishmërinë që të kemi në dispozicion edhe ne ato armë. Por nuk është se ato shikojnë shtetet armike apo mike tona, por mundësitë financiare të shteteve” tha ai.

Quni tha se gjatë vizitës në Turqi pa nga afër edhe fabrikat dhe ndërtimin e makinerive të fundit luftarake.

Investimet e viteve të fundit e kanë kthyer Turqinë në një fuqi të rëndësishme të luftës ajrore në Europë dhe më gjerë. Dronët turq TB2 të njohur edhe si “Bayraktar” janë duke goditur objektiva kundërshtare në rajone të ndryshme të botës.

Në Siri, dronët turq janë duke qëlluar mbi kurdët e PYD, të cilët kontrollojnë veri-lindjen e vendit, ndërsa në Libi forcat e qeverisë islamiste filluan të “marrin frymë” kundrejt ushtrisë së gjeneralit Haftar pasi në lojë u futën dronët turq, të cilët janë konsideruar edhe si “game changer” kudo ku janë përdorur.

Sëfudnmi, dronët turq janë duke u përdorur gjerësisht nga Azerbajxhani në luftë kundër forcave armene në rajonin e Nagorno Karabakh duke i shkaktuar mjaft humbje kundërshtarëve. Në lidhje me këtë, Armenia ka akuzuar Turqinë se po mbështet Azerbajxhanin me teknikë ushtarake dhe specialistë.

“TB2” janë fjala e fundit e teknologjisë së dronëve në Turqi. Ky është versioni i dronëve të armatosur, të cilët mund të qendrojnë në ajër për orë të tëra duke lëshuar raketa vdekjeprurëse ndaj objektivit.

Më herët, ishin amerikanët ata që i përdorën gjerësisht dronët vrasës për të eliminuar personazhe të njohur të terrorit, ndërsa Turqia është e dyta që shënon një përdorim kaq të gjerë.

Droni TB2 është projektuar dhe prodhuar nga kompania turke Bayraktar. Zhvillimi i dronit filloi në vitin 2007, dhe dy vjet më vonë ai bëri fluturimin e parë. Në 2014, zhvilluesit i treguan ushtrisë turke versionin e tyre përfundimtar dhe në mars 2016 “TB2” u miratua zyrtarisht nga ushtria turke, shkruan abcneës.al.

“TB2” mund të ngjitet në një lartësi prej më shumë se 7 300 metra dhe të qëndrojë në ajër deri në 24 orë, shkruan abcnews.al. Droni mund të kontrollohet nga qendra e kontrollit në një largësi deri në 150 kilometra.

Ka një shpejtësi maksimale prej 250 kilometrash në orë dhe shpejtësi mesatare operimi 130 kilometra në orë. Ka një gjatësi prej 6.5 metra dhe gjerësi të krahëve 12 metra. Pesha maksimale e tij është 650 kilogram dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 55 kilogramësh. Droni mund të mbajë deri në 4 raketa të drejtuara me lazer./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!