Drogë dhe emigracion klandestin, çmontohet banda shqiptare

schedule18:54 - 8 Prill, 2019

schedule 18:54 - 8 Prill, 2019

Një organizatë kriminale shqiptare që trafikonte drogë dhe emigrantë klandestinë është shkatërruar nga karabinierët italianë. Në total, janë arrestuar 18 persona në Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet italiane kanë shkatërruar një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, e akuzuar për trafik droge, favorizim të emigracionit klandestin dhe mbajtje të armëve luftarake. Kanë qenë karabinierët e fraksionit Fraskati të Romës që me kërkesë të Drejtorisë Hetimore të Antimafias kanë ekzekutuar 18 urdhër-arreste.

Nga personat që kanë rënë në pranga, 11 ndodhen në burg, 2 në arrest shtëpie dhe 5 të tjerë janë penalizuar me detyrim paraqitjeje. Gjatë hetimeve karabinierët kanë zbuluar se organizata trafikonte sasi të mëdha marijuane që vinte nga Shqipëria e që shpërndahej më pas në tregun kryeqytetas.

Gjithashtu, grupi bashkëpunonte me një klan tjetër kriminal, që kishte krijuar një urë mes Italisë dhe Anglisë, për t’iu mundësuar shtetasve shqiptare të hynin në territorin britanik.

Nga hetimet është identifikuar edhe një grua shqiptare që kishte arritur në aeroportin e Londrës duke përdorur një kartë identiteti italiane. Në Angli organizata kujdesej gjithashtu të gjente një sistemim për emigrantët, kundrejt një shume të majme parash.

Për zbardhjen e kësaj skeme është dashur bashkëpunimi i policisë britanike. Gjatë hetimeve, karabinierët kanë përdorur teknika të ndryshme, si përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe ndjekje të të dyshuarve në terren.

Në fazat e mëhershme të operacionit, në një nga bazat e organizatës ata gjetën 150 kilogramë marijuanë, dhjetëra doza heroinë e kokainë, si dhe armë lufte të tipit Kallashnikov./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!