Pakot me kokainë që i janë sekuestruar ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku nga karabinierët e San Benedettos në një fidanishte në Grottammare, të hënën do të dërgohen në Ankona për t’u analizuar për të përcaktuar përqindjen e pastërtisë së drogës.
Abcnews.al mëson se pasi i gjetën rreth 20 kg drogë, policia italiane ka kontrolluar shtëpinë e Kajmakut dhe nipit të tij të dy të arrestuar. Ish-kreu i bashkisë Vorë jeton me familjen në Monterubbiano, ndërsa nipi i tij jeton në Terra delle Aquile, ku punon si punëtor. Shtëpitë rezultuan të pastra si për xhaxhanë edhe për nipin, të cilët vazhdimisht përsërisin se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazo.
Ndërkohë hetuesit vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë, të cilët ishin fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga fidanishtja shqiptare.
Abcnews.al, mëson se sipas dëshmisë së tyre, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammare, ku duhej të ngarkoheshin.
Më vonë, u zbulua sasia e madhe koka, me vlerë gati një milion euro. Tani po punohet për të përcaktuar se nga erdhën, ku ishin dhe kush i ka ngarkuar bimët që përmbajnë drogën.
Vetë Kajmaku bashkë me nipin e tij kanë mohuar çdo fakt që i përfshin ata me kokainën e gjetur në Itali.

Ish-kryebashkiaku i Vorës përveçse me drejtësinë italiane, do të përballet edhe me gjykatën shqiptare.
Në shkurt të këtij viti Prokuroria e kryeqytetit ka ankimuar në Apel vendimin e Gjykatës së Tiranës, që pushoi çështjen ndaj Kajmakut, i akuzuar për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Në 30 dhjetor 2021, Gjykata Penale e Tiranës kishte vendosur pushimin e hetimeve ndaj Kajmakut për pamjaftueshmëri të provave të paraqitura nga ana e organit të akuzës.
Në nëntor 2019, Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Agim Kajmakut, asokohe në detyrën e kryetarit të bashkisë së Vorës, pasi dyshohej se kishte fshehur një dënim në Greqi. Ai u akuzua për falsifikim të formularit të dekriminalizimit dhe shpërdorim detyrë.
Sipas Prokurorisë, mbi Kajmakun rëndonte edhe akuza e ushtrimit të funksioneve publike pas mbarimit të mandatit, pasi kishte shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë pasi KQZ kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Vorës.

