Drita ia del në Vushtrri dhe kap kreun, anulohet një gol i çuditshëm

schedule15:29 - 21 Shkurt, 2020

schedule 15:29 - 21 Shkurt, 2020

Drita siguron një tjetër fitore pas asaj në derbin me Gjilanin. “Intelektualët” triumfuan 2-3 në Vushtrri përballë skuadrës vendase. Ndeshja ishte shumë e bukur dhe plot pesë gola u shënuan.

Izair Emini zhbllokoi shifrat në minutën e 18-të dhe kaloi miqtë në avantazh. Vushtrria barazoi ndeshjen pas gjysmë ore lojë, teksa Fazliu ishte autori i golit. Festa vendase zgjati pak, pasi Erjon Vucaj riktheu Dritën në avantazh me një goditje nga larg.

Drilon Fazliu shënoi sërish pesë minuta përpara fundit të pjesës së parë. Eurogol nga goditja e dënimit, por arbitri i befasoi të gjithë duke e anuluar golin e Vushtrrisë. Gjithsesi, skuadra vendase e gjeti golin e barazimit në minutën e 61-të.

Istrefi lëvizi bukur në zonë dhe lëshoi një goditje të fuqishme që u ndal në rrjetë. Drita nuk mund të linte pikë në këtë përballje dhe gjeti golin e fitores në minutën e 72-të. Vucaj krosoi nga këndorja dhe gjeti Kastrioti Rexhën në zonë, i cili dërgoi topin në rrjetë me kokë.

Takimi nuk pati më gola dhe Drita siguroi një trepikësh të artë. Kjo fitore e ngjit skuadrën nga Gjilani në vend të parë momentalisht me 37 pikë, po aq sa ka edhe Ballkani që pret Ferizajn në shtëpi të dielën. /abcnews.al

Vushtrria – Drita 2-3
(Fazliu 31′, Istrefi 61′ / Emini 18′, Vucaj 35′, Rexha 72′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!