“Dridhem kur e mendoj”, rrëfimi emocionues i Thomas Strakoshës!

schedule10:54 - 14 Nëntor, 2019

schedule 10:54 - 14 Nëntor, 2019

Thomas Strakosha ka vendosur të flasë hapur dhe e bën këtë në Itali, aty ku tregon zhgënjimet e deritanishme dhe pritjen më të bukur, si dhe portierin më të mirë aktual dhe të të gjitha kohërave. Sigurisht fillimisht “gardiani” ka folur për kombëtaren dhe emocionet që përjeton kur mendon se i ati, Foto, ka luajtur në stadiumin e vjetër, “Qemal Stafa” dhe vetë portieri aktual i kombëtares do të luajë në të riun kundër Francës kampione bote.

“Presim kampionët e botës,Francën. Të luash kundër një ekip kaq të fortë do të thotë të testosh veten dhe të provosh të bësh një paraqitje të madhe. Një tjetër motivim vjen edhe prej përurimit të stadiumit. Është i bukur, modern dhe sapo është ndërtuar. Maksimumi për një lojtar futbolli. Dhe nëse kthej kokën pas dhe mendoj se babai im ka luajtur në stadiumin e vjetër, përjetoj një emocion të veçantë”, shprehet Strakosha.

Ai kthehet vite pas në kohë, kur në “Qemal Stafa” përjetonte fitoren me Greqinë nga tribuna. Foto Strakosha ishte në fushë. “Koha fluturon. Emocione të bukura. Në ndeshjen e tij të lamtumirës isha në tribunë me familjen. Kur e mendoj se jam bërë profesionist dhe tani mbroj portën e kombëtares, në të njëjtin stadium të rindërtuar, dridhem. Ishte viti 2005. Shqipëria fitoi 2-1 kundër Greqisë, kampione Europe,  dhe unë isha 10 vjeç.

E kisha vendosur që do të isha portier kur të rritesha. Në fund të ndeshjes nuk hyra në fushë.  Mamaja e rregulloi në mënyrë të tillë që në fillim të festonte me ekipin dhe më pas me familjen. Mbaj mend Briegel, trajnerin e kombëtares. E detyroi të vazhdonte, nuk e lejonte të tërhiqej nga futbolli. Babai im donte të tërhiqej prej një kohe të gjatë”, shtoi Strakosha në intervistën e dhënë për “Corriere dello Sport”.

ZHGËNJIMET – “Që kur kam nisur të luaj, tre kanë qenë zhgënjimet më të mëdha. Finalja e parë e Kupës që e humbëm kundër Juventusit dhe disfata në Europa League me Salzburg. Ta parën vë humbjen me Interin në ‘Olimpico’, që na mohoi pjesëmarrjen në Champions League. Në atë ndeshja shkoja pas një javë jo të mirë, pasi kisha pësuar një dëmtim në shpinë. Teorikisht nuk duhet të luaja. Kisha frikë se nuk mund ta ndihmoja skuadrën, por me disa injeksione dola në fushë. Ajo humbje ishte më e keqja në karrierën time.

PRITJA MË E BUKUR DHE PORTIERI MË I MIRË – “Penalltia që i prita Dyballa në Allians Stadium. veçanërisht për kuptimin dhe momentin kur ndodhi, në minutën e fundit. Nuk kishim fituar në Torino prej 15 vitesh. Portieri më i mirë? Buffon është portieri më i mirë përgjithmonë, kurse aktualisht Handanovic”, është shprehur mes të tjerash Strakosha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!