Drejtoria e re anti-korrupsion, Manja: Do shtrihet në 47 institucione, rastet adresohen në SPAK

schedule13:44 - 20 Tetor, 2021

schedule 13:44 - 20 Tetor, 2021

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja këtë të mërkurë është shprehur se sot në mbledhjen e qeverisë është vendosur krijimi i një Drejtorie të Përgjithshme Anti-Korrupsion brenda ministrisë.

Sipas ministrit një drejtori e tillë do të ndihmojë në hetimin e administratës publike për të shmangur çdo shkelje të mundshme që mund të përfshihen punonjësit e administratës publike.

Manja është shprehur se të gjithë rastet e konstatuara do i kalojnë në SPAK dhe në prokurori.

“Sot kemi kaluar në qeveri vendimin për krijimin organizimin dhe funksionimin e rrjetit të kordinatorëve anti korrupsion në Shqipëri. Vendimi i sotëm është një nga hapat më të rëndësishëm rregullator dhe institucionale në luftën ndaj korrupsionit në administratën publike. Si koordinator në administratën publike vendimin e sotëm e konsideroj mbështetje të plotë të qeverisë në luftën ndaj korrupsionit të administratës publike për të pasur një administratë eficente në shërbim të qytetarëve. Me vendimin e sotëm ridimensionohet një dimension i ri në Ministrinë e Drejtësisë që është Drejtoria e Përgjithshme Anti Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Ky rrjet kordinatorësh do të shtrihet në 47 institucione shtetërore që do të merren me rastet për hetimin e punës së administratën publike dhe çdo gjë do të adresohet në SPAK dhe në Prokurori. Në ditët në vijim do kemi raste konkrete në institucionet shtetërore”, ka thënë Manja./abcnews.al