Armando Sadiku i surprizoi të gjithë në janar. Sulmuesi i kombëtares zgjodhi të transferohej në Bolivinë e largët, aty ku firmosi me klubin e Bolivar.
Aventura në futbollin latin ishte zhgënjyese, 30-vjeçari shënoi vetëm dy gola në kampionat dhe sot erdhi ndërprerja e bashkëpunimit me Bolivar.
El Desmarque raporton se Sadiku mund ta vazhdojë karrierën te Las Palmas, klub që garon në ligën e dytë spanjolle, nivel futbolli ku më parë sulmuesi i Shqipërisë ka luajtur me fanellën e Malaga.
Sadiku shpjegon se çfarë nuk funksionoi në Bolivi. “Lartësia ndikoi shumë, unë kurrë nuk u përshtata këtu. Të gjitha gjërat e këqija më kanë ndodhur, u sëmura dhe asnjëherë nuk jam përshtatur 100%.
Prandaj më vjen keq. Bolivar është një klub i madh, uroj të fitojnë dhe gjithmonë do ta mbaj këtë klub në zemrën time“. Ndërkohë, Javier Recio, drejtori sportiv i klubit latin, thumbon indirekt Sadikun, duke deklaruar që ndihet fajtor për merkaton e kryer.
“Më vjen turp kur shoh këto lloj paraqitjesh nga ekipi. Edhe ekip i femrave luan më mirë se ne. Ndihem përgjegjës për merkaton e zhvilluar, duhet të reagojmë. Sigurisht që do të marrim masa“, deklaroi drejtuesi spanjoll. /abcnews.al