Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë thirrje të hënën që të ndalen sulmet ndaj spitaleve në Rripin e Gazës, pasi Izraeli e sulmoi një dhe e bastisi një tjetër rishtazi.
“Spitalet në Gazë janë bërë përsëri fushëbetejë, ndërsa sistemi shëndetësor është në rrezik shumë të madh”, tha Tedros në një postim në X.
“Ne e përsërisim: Ndalni sulmet ndaj spitaleve. Njerëzit në Gazë kanë nevojë për qasje në kujdes mjekësor. Humanitarët kanë nevojë për qasje për të ofruar ndihmë mjekësore. Armëpushim!” shtoi ai.
Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit ishin në shënjestër të një sulmi të saj në spitalin Al Wafa në qytetin Gaza të dielën, ku mbrojtja civile palestineze raportoi se humbën jetën shtatë njerëz.