Policia rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit për evidentimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit apo drejtojnë automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Një 25-vjeçar i cili rezultoi pozitiv pas testit të drogës është arrestuar.
Sipas bluve, “gjatë mbrëmjes së djeshme, në Kombinat, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.”
Gjithashtu, gjatë kontrolleve intensive janë testuar dhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive, por pas testimit me aparatin drogë-testues nuk kanë rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.
Numri i shoferëve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan ka shkuar në 12.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit.
Policia paralajmëron kontrolle dhe ndëshkime për çdo drejtues mjeti që do të konstatohet në shkelje./abcnews.al/