Dr. Anthony Fauci nuk do të jetë më këshilltari kryesor mjekësor i administratës Biden. Ai njoftoi të hënën se do të tërhiqej nga pozicionet e tij si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe si këshilltar kryesor mjekësor i Presidentit të SHBA-vë, Joe Biden në dhjetor.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se do të largohet edhe nga detyra si shefi i NIAID Laboratori i Imunoregulimit.
“Po njoftoj sot se do të largohem nga postet e Drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) dhe Shefit të Laboratorit të Imunoregulimit të NIAID-it, si dhe nga posti i Këshilltarit Kryesor Mjekësor të Presidentit Joe Biden. Do të largohem nga këto pozicione në dhjetor të këtij viti për të ndjekur kapitullin tjetër të karrierës sime”, tha Fauci.
Fauci, 81 vjeç, ka shërbyer në NIAID për 38 vjet duke filluar në administratën e ish-presidentit Ronald Reagan, një rol në të cilin ai ndihmoi në udhëheqjen e reagimit të SHBA ndaj epidemisë së HIV/AIDS, si dhe virusit të Nilit Perëndimor, sulmeve të antraksit, gripit pandemik, kërcënime të ndryshme të gripit të shpendëve, Ebola dhe Zika. Ai u bë një nga fytyrat më publike të përgjigjes federale ndaj pandemisë Covid-19 në 2020.
Biden vlerësoi punën e Fauci-t në një deklaratë, duke vënë në dukje angazhimin e tij “të palëkundur” ndaj punës, si dhe “shpirtin, energjinë dhe integritetin e tij të pashembullt shkencor”.
“Për shkak të kontributeve të shumta të Dr. Fauci në shëndetin publik, jetët këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën janë shpëtuar. Ndërsa ai largohet nga pozicioni i tij në qeverinë e SHBA, unë e di që populli amerikan dhe e gjithë bota do të vazhdojë të përfitojë nga Ekspertiza e Dr. Fauci në çdo gjë që ai bën më pas”, shtoi Biden.
Kujtojmë se Fauci dhe ish-presidenti Donald Trump nuk u pajtuan publikisht se si t’i qaseshin pandemisë, cili ishte mesazhi i saktë për popullin amerikan dhe si të balanconin rihapjen me parandalimin e ngjitjes së mëtejshme. Gjatë gjithë kësaj, Trump këmbënguli se ai e respektonte Faucin, por nuk u pajtua me qasjen e tij. /abcnews.al/
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!