Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama e cila sipas tij qëllim të vetëm ka kapjen e drejtësisë për arsye politike. Vasili theksoi se pa një drejtësi të pavarur të pakapur nga politika nuk do të kemi ndëshkim të fajtorëve dhe se do të vazhdojmë të izolohemi më shumë.
“Drejtësia nuk nxjerr para drejtësisë shkaktarët e vërtetë të 52 viktimave të tërmetit në Durrës,Thumanë…, por kemi një drejtësi që bën sikur lufton shkaktarët e neglizhencës së tërmetit.. Kemi drejtësi që varros dhe mbron korrupsionin e Unazës së Re, që nuk heton qeveritarë, ministra apo drejtorë, por çon në gjykatë një recepsionist, dhe dinozaurët e politikës shqiptare që rrëmbejnë fonde publike. Kemi drejtësi e cila pa iu dridhur qerpiku liron kriminelët më të frikshëm. Sot kërkojmë ngritjen e komisionit hetim-monitorimi nga BE- SHBA. Gjyqtarët nga frika dhe presioni i Vettingut jepnim votime në favor të qeverisë. Nepotizmi dhe kapja politike e institucione është e pashmangshme. Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë ndërmori një seri veprimesh të paligjshme duke i hequr zemrën thelbit të reformës. Bllokimi i Gjykatës Kushtetuese nga Rilindja kanë sjellë kufizime, dëmtime, rrëmbim të pronës së shqiptarëve, mohimin e drejtësisë për shumë dosje. Duke e kthyer në një sistem vetëm me dy shkallë, një skandal ky i frikshëm. Dhjetëra milionë euro janë shpenzuar për këtë reformë dhe asgjë nuk ka ndryshuar deri më tani,”, tha Vasili.
Më tej Vasili deklaroi se vendi ka nevojë për një drejtësi të pavarur të pakapur nga politika, ndërsa theksoi se ngritja e një komisioni BE – SHBA është shumë e nevojshme për ti dhënë përgjigje disa pyetjeve të mëdha./abcnews.al